Pas gati shtatë vitesh, epoka Berlusconi te AC Monza ka marrë fund. Familja Berlusconi ka finalizuar marrëveshjen për shitjen e klubit te fondi amerikan Beckett Layne Ventures, me seli në Larchmont, New York.
Sipas agjencisë ANSA, operacioni është ndarë në dy faza. Fillimisht transferohen 80% e aksioneve, ndërsa 20% e mbetur do të kalojë pas 12 muajsh. Vlera totale e marrëveshjes arrin në rreth 30 milionë euro, duke përfshirë edhe disa bonuse të paracaktuara.
Nga ëndrra në realitet, trashëgimia e Berlusconit
Ishte 28 shtatori 2018 kur Silvio Berlusconi vendosi të rikthehej në futboll, pas largimit nga Milani, duke blerë klubin modest të Monzës. Me vizionin dhe investimet e tij, Monza u transformua nga një ekip i Serie C në një skuadër që u ngjit për herë të parë në histori në Serie A. Një arritje historike që u pa si kulmi i një ëndrre të re futbollistike për "Kavalierin".
Por pas ndarjes nga jeta të Berlusconit në vitin 2023, filloi edhe rënia sportive. Monza nuk arriti të ruajë statusin elitar dhe ra në Serie B, çka shtyu familjen të marrë vendimin për t’u tërhequr nga projekti.
“Me vdekjen e Silvios, i cili ishte qendra e këtij projekti dhe pas shumë investimeve për një ëndërr, familja po kërkon një grup të besueshëm për të garantuar të ardhmen e klubit”, u shpreh Paolo Berlusconi, president nderi i klubit, duke konfirmuar zyrtarisht largimin nga skena.
Një epokë e re amerikane
Tani Monza nis një kapitull të ri nën drejtimin e Beckett Layne Ventures, një fond investimi amerikan me interesa të shumta në sport dhe teknologji. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë ambiciet dhe planet afatgjata të pronarëve të rinj për rikthimin e Monzës në elitën e futbollit italian.
Komente
