ELBASAN - Në stadiumin "Elbasan Arena" të mërkurën dhe të enjten u zhvillua Kampionati i 87-të Kombëtar i Atletikës, ku Franko Burraj vendosi rekord të ri kombëtar në 200 metra. Për femra dominoi Luiza Gega.
Në garën e 200 metrave dominoi Franko Burraj i Vllaznisë, i cili e mbylli me kohën 21.03 sekonda, me rekord të ri kombëtar duke konfirmuar statusin e tij si sprintieri më i mirë në vend. Për femra ishte sportistja e Tiranës, Iljana Beqiri, që triumfoi me kohën 25.34 sekonda.
Në garën e 400 metrave me pengesa, Durjon Idrizaj i Vllaznisë fitoi te meshkujt me 56.85 sekonda, ndërsa te femrat, Livja Topi e Skënderbeut u dallua me kohën 1:02.84.
Në disiplinat e mesme dhe të gjata, u dalluan emra të njohur që konfirmuan nivelin e lartë. Luiza Gega, kampionia e atletikës shqiptare, triumfoi në garën 5000 metra, me kohën 16:56.66, duke treguar një ritëm të qëndrueshëm dhe strategji gare. Në 1500 metra, fitues ishte Sidrit Kopliku i Vllaznisë me 4:15.43, ndërsa te femrat, Relaksa Dauti e Tiranës.
Sportisti më i mirë i turneut u shpall Franko Burraj i Vllaznisë me 1063 pikë, ndërsa Luiza Gega e Tiranës te femrat e mbylli në krye me 1116 pikë. Sa i takon podiumit ekipor për meshkuj, Vllaznia e mbylli e para me 205 pikë, ndjekur nga Skënderbeu me 95 pikë dhe Partizani me 38 pikë.
Për vajza, në krye Tirana me 170 pikë, ndjekur nga Skënderbeu me 95 pikë dhe Partizani me 50 pikë.
Komente
