Ndërtesa e komunës paralele serbe të Skenderajt

Policia mbyll komunën paralele serbe të Skenderajt në veri të Kosovës

16 Tetor, 20:05| Përditesimi: 16 Tetor, 20:11

  • Share

Autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur të mërkurën një komunë paralele serbe të Skenderaj në veri të vendit, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Kjo komunë paralele ishte vendosur në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut, për t’iu ofruar shërbime kryesisht pjesëtarëve të komunitetit serb nga fshatrat Bajë dhe Suhogërll nga komuna e Skenderajt.

Të mërkurën vonë, Policia e Kosovës tha se zyrtarët e saj kishin vërejtur gjatë patrullimit në veri “persona të panjohur të cilët po frekuentonin një zyre” dhe se pas “verifikimit të personit përgjegjës është identifikuar se kjo zyre vepron si pjesë e strukturave ilegale dhe është përgjegjëse” për komunën e Skenderajt.

Ajo tha se, me urdhër të prokurorit, zyra është mbyllur dhe nga ajo janë sekuestruar prova dhe materiale të tjera, ndërsa personat përgjegjës do të intervistohen.

“Sipas autorizimit të prokurorit, policia është duke kryer veprimet përkatëse për intervistimin e personave të identifikuar dhe ekzaminimin e provave materiale”, tha ajo.

Mbylljen e kësaj komune paralele, e njohur si Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Sërbicës, e ka konfirmuar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke theksuar se punëtorët janë “përzënë” me arsyetimin se janë marrë me “veprimtari të paligjshme dhe antikushtetuese”.

“Një veprim i tillë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të gjitha marrëveshjet dhe dialogun e vazhdueshëm dhe tregon se e vetmja gjë që di [kryeministri i Kosovës Albin] Kurti është të udhëheqë politikën e mbylljeve dhe bllokadave”, tha ajo.

Autoritetet e Kosovës i cilësojnë si të paligjshme institucionet që punojnë në sistemin serb në Kosovë dhe nisën t’i mbyllin ato në fillim të vitit 2024, duke nxitur kundërshtime të mëdha nga serbët lokalë, si dhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila beson se vendimet e tilla të "pakoordinuara" mund të nxisë tensione.

Përvec institucioneve paralele serbe në veri dhe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash, autoritetet kosovare kanë mbyllur edhe degë të Postës së Serbisë në veri të vendit.

Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt dhe se ato ndjekin Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendon se me vazhdimin e mbylljes së këtyre institucioneve, vazhdon “represioni institucional dhe politik ndaj popullit serb në Kosovë nga Albin Kurti”.

“Megjithatë, ai gabon nëse mendon se Beogradi do të heqë dorë ndonjëherë nga kërkesa për formimin e ZSO-së (Asociacionit të komunave me shumicë serbe) dhe se do të mund të shpëtojë nga detyrimet e tij ose se Beogradi do të largohet ndonjëherë nga persona pa ndihmën dhe përkatësinë që u paguan dhe që do t'u paguhet”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi një varg masash për serbët nga Kosova, ndër to edhe pagesa e beneficioneve për punonjësit e institucioneve të mbyllura në Kosovë.

Ai pati thënë se, pas mbylljes së institucioneve paralele serbe nga autoritetet e Kosovës, rreth 6.000 personave u pushuan nga puna.

Vuçiq theksoi asokohe se “institucionet serbe nuk do të shfuqizohen apo mbyllen”, duke shtuar se do të hapet një zyrë regjistrimi në qytetet serbe Rudnicë dhe Ribariq përgjatë kufirit me Kosovën, e cila do të ofrojë shërbime për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë./REL

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?