Mbyllet Kapshtica deri më 4 dhjetor, radhë të gjata në pikën kufitare gjatë mëngjesit! Drejtoria e Kufirit Korçë: Nuk do lejohen të kalojnë as kamionët (VIDEO)

20 Nëntor 2020, 07:26| Përditesimi: 20 Nëntor 2020, 19:43

  • Share

Një ditë pas njoftimit se pika kufitare në Kapshticë do të mbyllej, rradhë të gjata janë krijuar nga kamionë të shumtë mëngjesin e kësaj të premte (20 nëntor).

Kamionistët ankohen se nuk ishin lajmëruar se ata nuk do të lejoheshin të kalonin. Ata tregojnë se më parë janë lejuar të punojnë gjithmonë në çdo kohë.

Për Report Tv, ata shprehen se kthimi prapa dhe kalimi në një pikë tjetër kufitare ka kosto të madhe për kompanitë e tyre.

Ndërkohë Drejtori e Kufirit Korçë ka njoftuar mëngjesin e sotëm se në pikën kufitare të Kapshticës nuk do të lejohet kalimi i asnjë lloj automjeti, madje as kamionët e mallrave.

I hapur do të jetë pika kufitare në Kakavijë ndërsa Kapshtica do të qëndrojë e mbyllur deri më datë 4 dhjetor. Pas 1 orë e gjysmë, kamionët u larguan nga pika kufitare duke liruar rradhët.

Ditën e djeshme Greqia vendosi të mbyllë pjesën më të madhe të kufijve me vendet fiqnje.

Duke u nisur nga situata e koronavirusit, qeveria helene vendosi të mbajë hapur nga një pikë kufitare me vende si Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas.

Mediat greke shkruajnë se në pikat kufitare që do të mbeten të hapura do të vijojë të kërkohet tamponi negativ për të gjithë personat që hyjnë, një test negativ PCR të kryer 72 orë para mbërritjes në Greqi.

Ky vendim i Qeverisë greke vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrorë mbeten të hapur. 

Ai theksoi se hyrja nga kufiri tokësor do të lejohet vetëm për shtetasit grekë ose ata që kanë leje qëndrimi në vend nga ora 7 në mëngjes deri në 23:00 të mbrëmjes.

Të gjithë personat që do të hyjnë në Greqi do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë nga ekipet e EODY, ndërsa shoferëve të kamionëve do t’i merren monstra

Kamionët e mallrave në Kapshticë

 

Ora 09:47
U bllokuan në Kapshticë për më shumë se 2 orë, kamionët nisen drejt Kakavijës

Pas më shumë se dy orë pritje në pikën kufitare të Kapshticës, kamionët e mallrave janë kthyer prapa.

Sipas njoftimeve të Drejtoria e Përgjithshme e Doganës, e vetmja pikë kalimi do të jetë ajo e Kakavijës.

Ora 08:59
Shoferët e kamionëve në Kapshticë: Nuk jemi njoftuar! Kthimi drejt një pike tjetër kufitare ka kosto të madhe

Kamionistët shprehen për Report Tv se nuk janë njoftuar ditën e djeshme për mbylljen e kufijve për kamionët e mallrave.

Ata shprehen se kthimi dhe kalimi nga një tjetër pikë kufitare ka kosto të mëdha. Mes tyre ishin dhe disa qytetarë turq të cilët shprehen se do të kalojnë nga Maqedonia e Veriut për të shkuar drejt Turqisë.

"Dy orë e gjysmë. Do ngarkoj mallin. Këtë e bëjmë çdo ditë. Nuk kishim informacion që do të mbyllej sot. Do të presim, nëse nuk zgjidhet do të kthehem. Firma do të ketë humbje me patjetër" - tha një prej kamionistëve.

"Do kthehemi. Do kalojmë nga Maqedonia për tu kthyer në Turqi. S'ka mall, jemi bosh" - tha një drejtues turk.

"Nuk ishim njoftuar se do të mbyllej kufiri. Ka kosto të madhe. Ne do të shkojmë të ngarkohemi. Ne kemi shokët andej dhe nuk e di se sa do të bëhej. Vetëm nga firma jonë janë 5 kamionë" - tha një tjetër shofer.

Ora 08:26
Drejtoria e Kufirit Korçë: Në Kapshticë nuk do lejohen të kalojnë as kamionët

Drejtoria e kufirit në Korçë ka njoftuar se nga pika kufitare e Kapshticës nuk do të lejohet as kalimi i kamionëve.

Autoritetet greke kanë njoftuar se pika kufitare e kalimit do të qëndrojë e mbyllur të paktën deri më datë 4 dhjetor.

Aty nuk do të lejohet kalimi i asnjë lloj automjeti për asnjë arsye. Përgjatë aksit rrugor Korçë-Kapshticë do të ketë prezencë të shtuar të policisë për të vëzhguar situatën.

Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve që të evitojnë udhëtimet drejt kësaj pike kalimi.

Mëngjesin e sotëm u krijuan radhë të gjata kamionësh në këtë pikë kufitare. Drejtuesit e mjeteve deklaruan se nuk ishin njoftuar më parë për mbylljen e kufirit për kamionët e mallrave pasi më parë ata janë lejuar.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?