Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur 5 komuna paralele serbe në veri të vendit, veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja.
Deputeti i PDK-së Hisen Berisha në një intervistë për Report Tv ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti duke nënvizuar se ai po realizon planin serb pas përplasjes me ndërkombëtarët. Gjithashtu Berisha theksoi se Kurti po e rrënon Kosovën, ndërsa shtoi se vetëm në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë vendi mund të bëjë para.
‘Kosova është shtete i pavarur dhe duhet të veprojë si i tillë. Nëse do me ecë shpejt mund të nisesh vetëm, por vetëm mund të përballesh me sfida që nuk janë të pakta vetëm për ne. Nëse do të mbërrijë i sigurt duhet të ecësh me aleatët, pasi përballjen do ta kesh bashkë me ato dhe udhët, koordinim e ke me aleatët.
Vendimi i qeverisë është i drejtë në kuptimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova, por metodologjia e punës është e gabuar. Pikërisht kjo metodologji e gabuar e ka sjellë qeverinë e Kosovës në të tilla përplasje që janë në disfavor me të.
Ky kryeministër për dallim ky është më shumë i karakterit populist. Ka krize identiteti. Për shkak të programit që ka ardhur në pushtet, nuk ka arritur të përmbushë asnjë objektiv të vetëm. Ka krizë identiteti dhe politike dhe mashtrimi. Po përpiqet që t’i përdorë për efekte elektorale qoftë dhe me kushtin për të humbur aleatët tanë. Humbja e kësaj aleance është shumë e rrezikshme për Kosovën. Po realizon synim serb pasi ky është synim serb, me humbjen e mbështetjes së aleatëve.’- tha Berisha.
Kosova mbyll 5 komuna paralele serbe në veri
Në një aksion të 30 gushtit, Kosova mbylli 5 komuna serbe paralele, një aksion që pritet të nxisë tensione të reja pasi qeveria e Kosovës është kritikuar nga perëndimi për “hapa të njëanshëm”. Nga aksioni u mbyllën, komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviçit.
Policia e Kosovës, tha se operacioni në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”. Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.