ilustruese

Bota

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, kërcënim i përhershëm, por kurrë i zbatuar

23 Qershor, 11:59| Përditesimi: 23 Qershor, 12:06

  • Share

Nafta u rrit me 15% sot (23 Qershor), me rihapjen e tregjeve aziatike. Ajo mund të rritet më tej, nëse Irani zgjedh vërtet të mbyllë Ngushticën e Hormuzit. Bab as-salam, "porta e paqes", siç është quajtur ngushtica në arabisht për shekuj me radhë, mund të bëhet porta e një lufte më të gjerë rajonale me implikime globale, jo vetëm në aspektin e energjisë.

E vendosur në hyrjen jugore të Gjirit Persik, Ngushtica e Hormuzit ndodhet në një gadishull në Oman I cili ndan ujërat territorial bashkë me Iranin. Një e katërta e trafikut global të naftës dhe rreth një e treta e trafikut të gazit natyror kalojnë nëpër këtë ngushticë. Vendet arabe më të prekura janë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (të cilat megjithatë kanë gjetur rrugëzgjidhje të pjesshme alternative ndaj tregtisë detare përmes Hormuzit) si dhe Katari, eksportuesi kryesor i gazit që është ende pothuajse tërësisht i varur nga ngushtica.

Hormuzi është gjithashtu një kalim themelor për Iranin. Aq I rëndësishëm, sa disa analistë e kanë përcaktuar vazhdimisht një bllokim të mundshëm të ngushticës nga Republika Islamike si një vetëvrasje të vërtetë për Iranin. Në 46 vitet e fundit, që nga ndryshimi i pushtetit në Teheran në vitin 1979, në rreth 20 raste Irani ka kërcënuar të mbyllë ngushticën, duke filluar që nga vitet e trazuara gjatë luftës së përgjakshme kundër Irakut (1980-88). Momentet e tensionit dhe kërcënimi pasues i mbylljes së Hormuzit nga Irani, janë regjistruar më shpesh që nga shfaqja e krizës ekonomike globale të vitit 2008, duke arritur kulmin në periudhën 2018-2022.

Në atë periudhë, Irani nuk hezitoi të vinte në shënjestër, drejtpërdrejt dhe përmes aleatëve të tij në Irak dhe Jemen, interesat perëndimore të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në brigjet e Abu Dhabit. Pikërisht në vazhdën e këtyre kërcënimeve, të përsëritura për vite me radhë, Riadi dhe Abu Dhabi e kanë devijuar pjesërisht trafikun e tyre të naftës bruto nga toka: duke kaluar nëpër tubacionet më të shtrenjta që, në rastin saudit, përshkojnë mbretërinë nga Gjiri në lindje deri në Detin e Kuq në perëndim dhe, në rastin e Emirateve, anashkalojnë Hormuzin duke i kaluar nga pas, para se të arrijnë në brigjet e Oqeanit Indian. Katari nuk ka infrastrukturë alternative, por i ka vënë anijet e tij në gatishmëri prej ditësh, duke kërkuar të zvogëlojë kohën e tranzitit dhe të ngarkimit të gazit. Përveç Shteteve të Bashkuara, objektivit të mundshëm kryesor të hakmarrjes iraniane, Kina do të dëmtohej nga mbyllja e ngushticës. Pekini është përfituesi kryesor i eksporteve të energjisë nga Hormuzi, veçanërisht atyre iraniane.

A.I/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    NATO miraton rritjen e shpenzimeve me 5% për mbrojtjen, si e vlerësoni?