Mbyllja e qendrave për fëmijët me autizëm, terapistja: Izolimi sjell disavantazhe tek ata

27 Prill 2020, 19:56| Përditesimi: 27 Prill 2020, 20:13

  • Share

Masat e ndërmarra në kuadër të parandalimit të COVID-19 kanë mbyllur edhe qendrat ku marrin trajtimin terapeutik fëmijët të cilët vuajnë çrregullime të spektrit të autizmit.

15 fëmijë të grupmoshës 2-8 vjeç të cilët marrin trajtimin terapeutik në një qendër në qytetin e Korçës kanë ndërprerë terapinë prej datës 11 mars.

Fëmijët me autizëm kanë vështirësi në krijimin e mbajtjen e marrëdhënieve sociale me të tjerët dhe për arritjen e këtij objektivi duhet një punë kolosale nga ana e terapistëve, por distancimi social dhe izolimi i menjëhershëm kanë shkaktuar jo pak disavantazhe në zhvillimin e këtyre fëmijëve shpjegon terapistja Anduela Mujollari.

"Në këtë qendër ndjekin terapinë 15 fëmijë, dhe qendra është e mbyllur që në 11 mars për shkak të situatës në gjithë vendin. Kjo është shumë e vështirë për këta fëmijë. Distancimi social dhe izolimi i menjëhershëm në shtëpi ndikon që të prishen ca ekuilibra që na është dashur kohë që të viheshin", tha Anduela Mujollari

Pavarësisht kontaktit dhe këshillimit të vazhdueshëm në distancë me prindërit e këtyre fëmijëve , sipas Mujollarit menaxhimi i kësaj situate për ta është tejet i vështirë.

"Këta prindër duhet të vijojnë me një rutinë të re ditore por kjo nuk është e lehtë. Unë jam në kontakt me prindërit për të vijuar me punën, online është e vështirë me fëmijët, por prindërit më dërgojnë video të aktivitetit të fëmijëve", tha Anduela Mujollari

Pavarësisht ndikimit negativ të ndërprerjes së terapisë për këta fëmije, kjo qendër do të vijojë të jetë e mbyllur deri në një urdhër të dytë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?