Shtëpia e Bardhë, foto arkiv

Bota

Mbyllja e qeverisë në SHBA, administrata fillon shkurtimet për mijëra punëtorë! Mbi 4 mijë të prekur në 7 agjenci

11 Tetor, 08:50| Përditesimi: 11 Tetor, 08:55

  • Share

Administrata e Donald Trump ka filluar të pushojë nga puna mijëra punonjës federalë, në një përpjekje për të ushtruar presion mbi demokratët mes mbylljes së vazhdueshme të qeverisë. Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë, Russell Vought, njoftoi në një postim në rrjetin social X se "procesi i RIF ka filluar", duke iu referuar terminologjisë zyrtare për "reduktime në forcën punëtore".

Një zëdhënës konfirmoi se pushimet nga puna kanë nisur dhe i cilësoi si “të konsiderueshme”. Më vonë, u bë e ditur se 7 agjenci federale kishin nisur të pushonin nga puna mbi 4,000 punonjës. Qeveria është ligjërisht e detyruar të japë një paralajmërim 30-ditor për punonjësit që do të preken nga pushimet.

Ndër agjencitë më të prekura janë Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), ku janë dërguar njoftime përkatësisht për rreth 1,446 dhe 1,100–1,200 punonjës. Departamenti i Arsimit dhe ai i Strehimit dhe Zhvillimit Urban planifikojnë të shkurtojnë të paktën 400 punonjës secili, ndërsa Departamentet e Tregtisë, Energjisë, si dhe Sigurisë Kombëtare kanë në plan të pushojnë nga 176 deri në 315 punonjës.

Në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), 20 deri në 30 punonjës morën njoftime se mund të përfshihen në pushimet e ardhshme. Ndërkohë, mund të pasojnë edhe agjenci të tjera federale.

Sindikata të mëdha si Federata Amerikane e Punonjësve të Qeverisë (AFGE) dhe AFL-CIO kanë paditur administratën për ligjshmërinë e këtij veprimi, duke kërkuar nga një gjykatë federale në Kaliforni të ndalojë përkohësisht pushimet nga puna. Presidenti i AFGE, Everett Kelley, e quajti këtë veprim të administratës "të turpshëm" dhe një abuzim të qëllimshëm të mbylljes së qeverisë për të shkarkuar punonjës që ofrojnë shërbime jetike për komunitetet në mbarë vendin.

Ndërkohë, mosdakordësitë politike vazhdojnë në Kongres. Demokratët refuzuan të votojnë për planin e shpenzimeve të propozuar nga republikanët, duke kërkuar mbrojtjen e kredive tatimore që ulin kostot e sigurimeve shëndetësore dhe rikthimin e financimit për Medicaid. Nga ana tjetër, republikanët i akuzojnë demokratët për bllokimin e qeverisë dhe pasojat që kjo po shkakton për shërbimet publike dhe punonjësit.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?