Në një seancë gjyqësore që zgjati vetëm 1 orë e 40 minuta, Gjykata Administrative u ka dhënë fund shpresave të vajzave të kolegjit turk ‘Mehmet Akif’ për rikthimin e tyre në mësim. Administrativja la në fuqi vendimin e qeverisë për mbylljen e Kolegjit duke hedhur poshtë kërkesën e shkolles për pezulllim të përkohshëm të VKM-së.
Vajzat e kolegjit turk nuk i kanë mbajtur dot lotët gjatë kohës që kryesuesi i trupit gjykues shpalli vendimin.
”Thjesht ne sapo kuptuam në çfarë vendi jetojmë”.
Një nga mësuesit e kolegjit, Bujar Muzhaqi i zhgënjyer nga ky vendim i gjykatës thotë se tashmë 159 nxënëset do të fillojnë transferimet dhe se ato do të orientohen të shkojnë drejt shkollave private.
“ Ata sigurisht janë këshilluar me ne dhe ne i kemi këshilluar që të mos kthehen në ata kotecat e shtetit, ku pikon shiu e ku nuk ka tualete, ku ka dritë natyrale, por nuk ka dërrasa e shkumës.”
Ndërsa 25 mësuesit e kësaj shkolle zyrtarisht mbeten të papunë dhe nuk janë optimist për punësim në arsimin publik.
“Mësuesit nuk i përmendi njeri. Ku shkojnë këta mësues që kanë derdhur energji me vite të tëra? Kur unë jam diplomuar si mësuese e matematikës, pikërisht zyra arsimore na ka mbyllur derën dhe na ka thënë po ndërrohet pushteti, ne nuk e dimë nëse jemi vetë në punë dhe jo më ju, mësuesit e ardhshëm. Ku u formuam ne mësuesit e kolegjit turk? Këtu u formuam.”
“Nuk do ta harroj kurrë në jetën time këtë gjë dhe nxënësit e mij nuk besoj se do ta harrojnë ndonjëherë. Për të gjetur punë do të shkoj në privat besoj.”
Qeveria shqiptare njoftoi më 22 shator mbylljen e gjimnazit “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë pasi ky kolegj nuk përmbushte standartet ligjore si dhe ka kryer transferimin e godinës në një vendodhje tjetër pa marrë leje nga ministria. Nxënësit e kolegjit turk Mehmet Akif kundërshtuan me protestë vendimin e qeverisë për heqjen e licencës me argumentin se godina e re në Mëzes nisi mësimin pa u certifikuar nga ministria. Drejtori turk i kolegjit hodhi dyshime se kjo bëhet për shkak të kërkesave të përsëritura nga Erdogan, ndërsa ministria e Arsimit i mohoi këto aludime duke marrë përsipër edhe transferimin e nxënësve në shkolla të tjera. Kryeministri Edi Rama se tha se është zbatuar ligji dhe se nxënëset duhet të protestojnë pronarët.
Mazhoranca dhe opozita janë përplasur në lidhje me vendimin për mbylljen e kolegjit turk 'Mehmet Akif'. Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se vendimi është marrë pasi kanë shitur godinën ku kishin lejen e aktivitetit shkollor dhe kanë hapur aktivitetin pa marrë lejen sipas ligjit.
Komiteti shqiptar i Helsinkit ngriti pikëpyetje mbi vendimin e sotëm të Gjykatës së Administrative të Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e kolegjit turk Mehmet Akif për pezullimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e këtij institucioni arsimor privat, deri në shyrtimin në themel të rastit.
Gjykata rrëzoi kërkesën “pa arsyetuar në mënyrë të përmbledhur shkaqet që justifikonin zbatimin e kuadrit ligjor të cituar në shpalljen e vendimit të ndërmjetëm”, shpjegoi në një deklaratë Komiteti i Helsinkit, përfaqësuesit e të cilit monitoruan dy seancat e zhvilluara në Gjykatën Administrative për këtë çështje.
Gjykata nuk mori parasysh argumentet e Kolegjit sipas të cilit, vendimi kishte qenë një masë ekstreme, duke qenë se, siç u shpreh gjatë seancës dhe avokati mbrojtës, shkeljet dhe problematikat e konstatuara kishin qenë të një natyre të vogël dhe jo aq shqetësuese. Sipas avokatit të Kolegjit, vërejtjet nga ana e inspektorëve të ministrisë së Arsimit kishin patur të bënin me këndin e dritës në katër klasa, dhe me disa ndërhyrje në palestër.
Përfaqësuesit e Ministrisë nga ana e tyre, pretenduan se Kolegji kishte patur kohën e mjaftueshme për të plotësuar kriteret e kërkuara, por se nuk kishte ndërhyrë, dhe ndërkohë kishte nisur vitin e ri shkollor pa marrë miratimin e ministrisë.
Ekspertët e Komitetit shqiptar të Helsinkit nga ana e tyre thanë se “hetimi gjyqësor ishte i kufizuar dhe nuk u thellua në mënyrë substanciale në sqarimin e çdo momenti procedural mbi dokumentacionin e paraqitur nga palët, me vlerën e provës”, duke shpjeguar se “në funksion të një hetimi gjyqësor të plotë, të gjithëanshëm dhe objektiv, gjykata nuk e shqyrtoi të nevojshme që, në kuptim të dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm të referuar, të hetonte dëmin që mund t’i shkaktohet nxënësve të Kolegjit, për të vlerësuar cenimin e interesit më të lartë të fëmijëve (nxënësve) nga mbyllja e Kolegjit Mehmet Akif”.
Po ashtu, në deklaratën e Komitetit të Helsinkit mbi monitorimin e procesit, vihet në dukje se “sjellja dhe mënyra se si u formuluan pyetjet për palët nga gjyqtarja, krijuan pikëpyetje sa i takon parimit të paanshmërisë dhe kontradiktoritetit. Palët që në fazën e legjitimimit të tyre dhe në vijimësi të paraqitjes së parashtrimeve dhe provave, nuk u vendosën në pozita të barabarta në sytë e publikut dhe u vërejtën elementë të njëanshmërisë”.
Për këtë, ekspertët e Komitetit të Helsinkit sollën disa shembuj: “gjyqtarja nuk ndoqi të njejtin standart, në verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga palët”; disa ndërhyrje të gjyqtares që “nënkuptonin qëndrimin e Gjykatës karshi Fondacionit (Kolegjit ndr) që nuk duhet të kishte transferuar veprimtarinë arsimore në godinën e re”; apo dhe fakti se “përgjatë procesit të pyetjeve, pati edhe elementë sugjestionues në pyetjet drejtuar palëve”.
Kolegji është pjesë e fondacionit Gulen, që i përket klerikut turk Fetulla Gulen, i konsideruar nga Ankaraja si organizator i grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2006. Turqia ka kërkuar në mënyrë të përsëritur mbylljen e aktiviteteve të financuara prej tij. Dhe vendimi për mbylljen e Kolegjit është parë si një rezultat i kësaj trysnie, ndonëse autoritetet shqiptare kanë këmbëngulur se vendimi i tyre lidhet rreptësisht me zbatimin e ligjit.
Por edhe për vendimin e mbylljes së Kolegjit, Komiteti shqiptar i Helsinkit, pas verifikimit të dokumentacionit, kishte arritur në përfundimin se “procedurat e autoriteteve për mbylljen e Kolegjit Turk “Mehmet Akif Ersoy” nuk përmbushin standardet e procesit të rregullt, duke rezultuar me dhënien e një masë të ashpër, të nxituar, jo proporcionale dhe me pasoja të dëmshme”./VOA
Erdogani e ka shternguar daren mire.Por ka nje dalje nga kjo situate,ne vend qe te humbin kohen me gjyqe,privatizoni ndertesen e re,beni fiksimet qe ju kerkojne,nxirni license te re dhe pas kesaj,pasi i keni plotesuar te gjitha kushtet e kerkesat,nese prape nxjerin ndonje pengese te re,hidhini ne gjyq.Nese dhe ne keto dy tentativat e fundit thone //jo//,d.m.th.dashje pa dashje e zyrtarizojne nderhyrjen e Erdoganit me ane te vendimeve qe jane qellimisht te motivuara me dashakeqesi,atehere hidhini ne gjyqin evropian.Atehere keni per te pare se si kane per t'a rihapur.
PërgjigjuRopt o Rama
PërgjigjuEdhe sikur te kete probleme adresa qe nuk eshte ashtu, a mund te mbyllet shkolla me e mire dhe e suksesshme, e mesme, private ne Shqiperi per saktesimin e adreses. Vendim i turpshem i Edi Rames
Përgjigju