TikTok

Politikë

Mbyllja e TikTok/ Kushtetuesja kalon çështjen për shqyrtim në seancë publike, por rrëzon kërkesën për pezullimin e vendimit

4 Qershor, 11:23| Përditesimi: 4 Qershor, 11:52

  • Share

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën për shqyrtimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok, por ka rrëzuar pezullimin e menjëhershëm të tij. Kërkesat për shpalljen si antikushtetues dhe pezullimin e këtij vendimi ishin bërë nga  Asociacioni për Gazetarët Shqiptarë, Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri dhe Qendra për Fuqizim Ligjor.

Çështja do të kalojë në seancë publike dhe të ftuara si palë të interesuara janë Autoriteti për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Kushtetuesja kërkon gjithashtu që të dorëzojnë parashtrime me shkrim nëse kanë argumente shtesë për çështjen. 

"Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetues, po në datën 02.05.2025, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, (ligji nr.8577/2000) ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike të kërkesës së kërkuesve shoqata “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë”, qendea” Rrjeti Ballkanik për gazetarinë Investigative, Shqipëri, si dhe thirrjen në këtë gjykim, në cilësinë e subjekteve të interesuara të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 
 
Gjithashtu, po me vendimin e datës 02.05.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën për pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 151, datë 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “TikTok”, publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 47, datë 07.03.2025, vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullim.", thuhet në vendim.


Për vendimin reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve, të cilët në një deklaratë, thonë se mirëpresin vendimin për të kaluar për shqyrtim publik këtë çështje. Sipas Asociacionit, ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit të lirë. 

Më tej, thuhet se, megjithëse u rrëzua kërkesë për pezullimin e vendimit, kalimi për shqyrtim tregon seriozitetin dhe rëndësinë që për përfaqëson kjo çështje për rendin kushtetues. 

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) mirëpret vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të kaluar në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën tonë të përbashkët me organizatat partnere për shpalljen si antikushtetues të vendimit nr. 151 të datës 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave, që ndalon përdorimin e platformës “TikTok” në Shqipëri.

Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend.

Megjithëse Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë, shqyrtimi në themel i çështjes në seancë publike është tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që kjo çështje përfaqëson për rendin kushtetues dhe të drejtat e qytetarëve.

Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat AGSH mbetet e angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e hapësirës mediatike të lirë dhe të pavarur në Shqipëri. “, thuhet në reagim. 

Mbyllja e TikTok do të jetë për të paktën 12 muaj, vendim i cili u mor pas konsultimeve të gjera me mësues dhe prindër. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas këtij afati, do të diskutohet nëse do të hapet apo jo, pasi siç ka deklaruar ai, janë në diskutime me kompaninë e rrjetit social për të vendosur filtra.

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?