Vendimi i qeverisë një ditë më parë për mbylljen e TikTok brenda një jave ka ngjallur mjaft reagime në rrjetet sociale. Ekspert IT, Erion Demiri dhe sociologia Entela Binjaku dolën në ‘Sot Live në Shqipëri' në Report Tv për rreziqet që vijnë nga kjo platformë.
“Nga ana teknike nuk mund të kemi një mbyllje totale. Në një shoqëri ku ne pretendojmë që kemi akses të pakufizuar në internet, mbyllja totale është e pamundur teknikisht. Kufizimi i tij është më i mundur, pra do të kemi më pak përdorues që do të jenë të kenë akses në Shqipëri”, tha Erion Demiri.
Binjaku u shpreh se në TikTok ka njerëz që e shpërdorojnë hapësirën sociale sepse mendojnë se aty mund të bësh dhe të shprehesh si të duash.
“Mendoj që ekspertët e IT do të kenë një detyrë të vështirë për të na shpjeguar ne popullit nëse është më e thjeshtë të mbyllet apo të të vendosen filtra. Siç ka njerëz që e përdorin për qëllime jo të mira ka edhe nga ata që shpërndajnë mesazhe pozitive, janë kreativë. Një masë si kjo i përfshin të gjithë si ata që kanë meszhe të mira dhe anasjelltas”, tha Entela Binjaku.
Më tej Demiri nënvizoi se TikTok nuk është shkaktuesi problemeve, ai është fundi i problemit.
“Në një farë forme ligjërisht po na hiqet e drejta që ne ta përdorim. TikTok nuk është shkaktuesi i problemit. Duke mos qenë i tillë në vend të merresh me burimin e problematikës ti po merresh me fundin e saj”, shtoi Demiri teksa theksoi se ka edhe platforma të tjera që përdoren edhe pse nuk janë aq të njohura sa TikTok.
Binjaku nga ana tjetër shtoi se kjo nuk është mënyra e duhur që t’i shpëtojmë të miturit dhe të rinjtë.
"Jam e mendimit që nuk është TikTok-u, por përmbajtja që ne u japim atij. Nuk më duket e drejtë që në 2025 ne të mbyllim këtë platformë për të gjithë. Nuk mendoj që është kjo mënyra që t’i shpëtojmë të miturit nga njëmijë e një probleme që lidhen me kohën e lirë, me izolimin e tyre, me varësinë ndaj internetit. Më duket e vështirë se si do të realizohet kjo gjë”, tha sociologia për gazetarin Nertil Agalliu.
"Ajo që është e ndaluar është më tërheqëse. Njerëzit e shpërdorojnë mjedisin virtual, sepse mendojnë se aty mund të bësh dhe të shprehesh si të duash dhe nuk i pengon askush. Po kjo gjë vjen si pasojë e një edukimi të dobët dhe mungesa e mendimit tonë kritik", tha Binjaku më tej.
Sa i përket numrit të përdoruesve në Shqipëri, Demiri shtoi se nuk një statistikë të saktë por që fëmijët 9-vjeç ta përdorin TikTok është jashtë normales.
Komente
