Politikë

Mbyllja e TikTok për të mbrojtur fëmijët ‘çmend’ Berishën: Është akt censure

8 Mars, 14:42| Përditesimi: 8 Mars, 17:57

  • Share

TIRANË- Sali Berisha vijon të mbajë qëndrimet qesharake për mbylljen e TikTok, një masë e marrë nga qeveria për mbrojtjen e të fëmijëve dhe të rinjve. Në një komunikimin me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se ky është një akt brutal dhe akuzon kryeministrin Rama për censurë.

Por në fakt vendimi i qeverisë erdhi jo vetëm pasi 90% e prindërve u shprehen pro mbylljes së TikTok, por VKM e Këshillit të Ministrave është e qartë: Aplikacioni hapet në momentin që kompania kineze vendos filtra për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë.

“TikToku është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin. Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe.

Për më tepër, Edi Rama mori shkas për bllokimin e tij një shkak të rremë, një pretekst të rremë. Ai tha se i ndjeri Martin Cani u vra nga shoku i tij sepse u zunë në TikTok. Por kompania deklaroi botërisht se as Martini, as shoku i tij nuk kishin llogari në TIkTok. Kjo është arsyeja pse ne protestojmë. Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi”, tha Berisha.

Për mbylljen e TikTok Berisha bëri edhe një apel qesharak për fëmijët një ditë më parë, ku u bëri thirrje që të bojkotojnë mësimin për të mbrojtur TikTok. Një çmenduri për çdo prind që normalisht në familje lufton për të kundërtën: studioni dhe lini TikTok-un

Gjatë komunikimit me ndjekësit, Berisha foli edhe për situatën politike dhe akuzoi kryeministrin Rama për dosjen McGonigal.

“Edi Rama së pari po përgatitet që së pari të mos ia marrë kush PS-në, por të qëndrojë kryetari i PS. E vërteta është se Edi Ramën e presin procese ligjore, seri procesesh ligjore në Shqipëri, por njëri është më epror nga të gjithë të tjerët, është afera McGonigal. Kështu që mos u çudit që të kërkohet për ekstradim, se unë u jap fjalën se pa asnjë hezitim do ekstradohet në SHBA”, tha Berisha.

Një koment e ka edhe për bashkimin e PD, ku iu bashkuan edhe deputetët që ishin rreshtuar krah Lulzim Bashës. Kjo për Berishën është bashkim në diversitet, ndërsa Bashën e akuzon se përdoret nga Taulant Balla.

“Në procesin e bashkimit të PD, Partia Demokratike është treguar konsekuente në atë që ka shpallur. Ne shpallëm bashkimin në diversitet, sepse nuk mund të mohohet që për shkak të zhvillimeve dramatike, brenda grupit të deputetëve të PD, dhe në anëtarësi në një shkallë më të vogël, u përvijuan qëndrime të ndryshme. Bashkimi i deputetëve dhe grupit parlamentar ishte vendimtar për forcën tonë politike që të shkojë drejt 11 majit si forcë drejt fitores.

Meqenëse po më pyet me emër konkret. Përveç Taulant Ballës, të garantoj që ai njeri nuk ka njeri tjetër me vete. Nuk ka asnjë njeri. Ndaj demokratë e demokrate mbështesni kandidaturat e PD, se mbështesni fitoren”, tha Berisha.

Ora 16:07
Çam e grekë në koalicion, militantët frikë se Idrizi ikën te PS! Berisha: Këtë herë do jetë besnik i PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim në rrjetet sociale iu përgjigj frikës së një militanti se Shpëtim Idrizi që i është bashkua koalicionit me PD, mund të iki tek socialistët. Berisha tha se kësaj radhe Idrizi do të qëndrojë besnik i Partisë Demokratike

“A ka mundësi që PDIU të iki nga PD tek PS? Berisha: Më shumë se 2/3 ka qenë me PD/. Ka kaluar një moment me PS, por janë gjëra që ndodhin në politikë, po këtë herë janë besnik të PD-së”, tha Berisha.

Në koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Berisha ka bërë një kompozim mes çamëve e grekëve, parti anonime konservatorësh e ballistësh por edhe aleatët e vjetër. Në koalicion nuk mungojnë as figura si Kujtim Gjuzi, ndërsa trenit opozitar në zgjedhjet e 11 majit i janë bashkuar edhe emra të tjerë si Selami Jenisheri e Kostaq Papa, të cilët Berisha i mban edhe për disa ditë me shpresën, se mund të kenë një vend në listat e kandidatëve për deputetë.

SI.E./A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?