Sociale

Mbyllja e Urës së Milotit paralizon qarkullimin, ekspertë dhe banorë të zonës të indinjuar: Dëmton turizmin

25 Korrik, 13:51| Përditesimi: 25 Korrik, 17:32

  • Share

Mbyllja e urës së vjetër mbi lumin Mat, në pikun e sezonit turistik, ka paralizuar lëvizjen në rrugën nacionale Lezhë-Milot si dhe ka renduar trafikun përgjatë superstradës.

Prej dy ditësh qytetarët po përballen me pritje të gjatë për të udhëtuar drejt Lezhës dhe anasjelltas.

Eksperti i sigurisë rrugore, Rrok Lelcaj, e cilëson vendimin për mbylljen e urës si një absurditet në këtë periudhë të ngarkuar turistike, pasi se kjo urë shërbente si një rrugë alternative për të shmangur trafikun e rënduar në superstradën Lezhë-Milot gjatë muajve të verës. Sipas tij, mbyllja e kësaj ure bllokon deri në 50% turizmin në veri.

“Ky është aks qëndror se ka zbutur qarkullimin e lëvizjes drejt veriut. Dje për të shkuar nga Laçi në Lezhë kam vonuar mbi 1 orë e gjysmë. Edhe për t’u kthyer nga Lezha në Laç jam vonuar shumë më shumë se 1 orë e gjysmë. Kjo ka shumë pikëpyetje të mëdha që dikush duhet t’i zgjidhë. Pse bëhen këto punë gjatë turizmit? Zgjidhja është të hapet se nuk ka rrezikshmëri, se kur ka rezistuar 30 e ca vjet, reziston prapë. Unë i kam parë kollonat, edhe mund të rivishen pa problem. Ndërhyrja duhet të ishte bërë shumë më përpara ose pas tetorit. Bën shumë dëm për turizmin dhe ekonominë, e bllokon. Gati 50% bllokon turizmin e veriut, e të Lezhës në veçanti, Lezhë-Shkodër-Velipojë”.

Banorë të zonës dhe udhëtarë shprehen të indinjuar, duke theksuar se janë penalizuar nga ky vendim i papritur dhe mungesa e një zgjidhjeje alternative.

“Normal që ndikon negativisht”, thotë një turist.

“Është problem madhor sepse ka bllokuar 3-4 fshatra në Milot”, shprehet një banor vendas.

Ura e vjetër mbil Lumin Mat e cila lidh Lezhën me Kurbinin, u bllokua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dy ditë më parë, pas konstatimit të dëmtimeve serioze në strukturën mbajtëse.

Degradimi i saj është krijuar nga mungesa e mirëmbajtjes ndër vite dhe marrjes së inerteve në lum, ndërsa ende nuk ka një plan ndërhyrje për rivendosjen në funksion të kësaj ure.

Për bllokimin e Urës së Milotit ka reaguar Dom Gjergj Meta, në një postim në rrjetet sociale, ku shkruan se pa asnjë lajmërim paraprak, bllokohet qarkullimi në pikun e sezonit turistik.

“A kontrollon kush me kohë gjendjen e urave që të ndërhyhet preventivisht e të mos bllokohet një aks që është një valvul shkarkuese e rëndësishme sidomos në këtë periudhë të vitit? Si ka mundësi në mes të sezonit turistik, në kulmin e ardhjes së emigrantëve për pushime, në kulmin e dasmave bllokohet ura e Milotit? Çfarë inkompetence absolute e institucionit që merret me rrugët. Asnjë llogaridhënie, asnjë lajmërim paraprak, asnjë sqarim si do të bëhet, kur do të bëhet, vetëm thjesht "Ndalohet!”, shprehet Dom Gjergj Meta.

Ora 19:19
Mbyllja e Urës së Milotit revoltoi banorët e zonës, ARRSH: Rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit

ARRSH ka sqaruar përmes rrjeteve sociale se përse vendosi të mbyllë për qarkullim Urën e Milotit. 

Reagimi i ARRSH: 

Ura auto-hekurudhore e Milotit, me një gjatësi prej 788 metrash, paraqet një rrezik serioz për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kalimit, si pasojë e:

• dëmtimeve të konsiderueshme në themelet mbështetëse,

• erozionit të theksuar në bazament, për shkak të shfrytëzimit të pakontrolluar të zhavorrit të lumit,

• dhe gërryerjeve në të gjithë shtratin lumor.

Bazuar në ekspertizën teknike dhe duke marrë parasysh trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit veror, është marrë vendimi për mbylljen e plotë të urës dhe ndërprerjen e qarkullimit, deri në përfundim të projekt ndërhyrjes emergjente që po hartohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës. Kjo ndërhyrje do të zbatohet menjëherë në ditët në vijim.

Ndërkohë, ndërtimi i urës krejtësisht të re është parashikuar nga ARRSH si pjesë e programit “100 Ura”, i cili realizohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

Gjatë periudhës së ndërhyrjes, rekomandojmë përdorimin e këtyre rrugëve alternative:

• Rruga kryesore Lezhë – Milot

• Rruga e Kombit

Të nderuar qytetarë dhe përdorues të rrugës, kjo ndërhyrje është thelbësore për të garantuar sigurinë e të gjithë komunitetit. Ndërgjegjësohemi për vështirësitë dhe shqetësimet që mund të shkaktojë mbyllja e përkohshme e urës, por kjo masë është e domosdoshme për të shmangur rreziqe më të mëdha dhe për të siguruar një infrastrukturë të qëndrueshme dhe të sigurt në të ardhmen.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 26/07/2025 01:57

    Jeni ne vete o njerez?! Para ca kohesh u ankuat per gjendjen e saj,tani ankoheni pse ju a mbyllen dhe fusni dhe turizmin ne mes! Si kjo ure kemi pasur dikur uren e vjeter te Lanes,prane Ekspozites.Atje edhe pse ishte ure kembesoresh,te hynte frika kur kaloje mbi te,per shkak te degradimit,juve e keni auto-hekurudhore,me te rrezikshme dhe prape doni t'a mbani te hapur se na qenkeni ne kulmin e turizmit dhe te dasmave/!!Ju me kete reagim, me kujtoni nje te aferm timin kur ishte fare i vogel qe i qahej nenes se vet /Pse me lave moj, pse me lave?/,perhere mbas banjes edhe juve /Pse e mbyllet?/.Si ka mundesi te keni per uren logjiken e nje 4-vjecari?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?