Politikë

Mbyllja e Zërit të Amerikës/ Berisha: Një akt anticensure! Nesër mund të mbyllet edhe RTSH dhe kjo nuk quhet censurë

15 Mars, 20:38| Përditesimi: 15 Mars, 21:48

  • Share

Me një urdhër ekzekutiv ku kërkoi shpërbërjen e 7 agjencive federale dhe mediave të tjera të financuara nga qeveria amerikane në mbarë botën, presidenti Donald Trump mbylli këtë të shtunë Zërin e Amerikës, i cili filloi transmetimet në vitin 1942 për një audiencë që vlerësohet në 125 milionë njerëz në të gjithë botën.

Teksa protestoi në Tiranë për mbylljen e TikTok si censurë për lirinë e fjalës, Sali Berisha, mbylljen e Zërit të Amerikës, e sheh si një akt anticensure, e madje thotë se mund të mbyllet edhe Radiotelevizioni Publik Shqiptar, e as kjo nuk quhet censurë.

“Gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, pavarësisht se çfarë thotë propaganda kundër tij, asnjë gazetar nuk është ndëshkuar apo dënuar, është tregues, e kam unë atë. Fjala më e bukur që ai ka mbajtur ka qenë fjala për censurën, garancitë që ai dha se s’do ketë censurë. Mbyllja e Zërit të Amerikës është çështje e një gjeopolitike globale. Ata e konsiderojnë se shpenzimet që bëhen me Radion të kufizohen ose të shmangin një propagandë që e konsiderojnë të tepërt, administrata aktuale e SHBA.

Mund të ndodhi nesër të mbyllet edhe RTSH-ja, por kjo nuk do të thotë se është censurë pasi mesazhi qytetarëve do i shkojë. Ajo është ent publik, mund të vazhdojë. Nuk pëson asnjë censurë, më shumë mu duk se ishte një akt anticensure (vendimi i Trump)”, tha Berisha para gazetarëve. “Mbase i kthehet mendja popullit shqiptar dhe me gjithë socialistët të votojnë për këtë që quhet ndryshim se vdiqëm”, përfundoi ai.

Për ish-drejtorin e VOA-s në gjuhën shqipe, Elez Biberaj, mbyllja e Zërit të Amerikës pas 83 vitesh, në emër të reduktimit të burokracisë federale do t’i shkaktojë një dëm të madh imazhit të SHBA, të cilin nuk ia ka bërë asnjë kundërshtar deri më sot.  

Sipas Nju York Times, Trump u kërkoi drejtuesve të agjencive, që të reduktojnë veprimtaritë, numrin e stafit dhe kontrata e kushtueshme. Kari Lake, ish-gazetare e kthyer në politikane republikane, e cila u përzgjodh nga Presidenti Donald Trump për të drejtuar Zërin e Amerikës, vlerësoi se ky veprim do të kursejë 53 milionë dollarë.

Agjencia Amerikane për Mediat Globale, kërkoi ndërprerje të kontratave me Associated Press (AP), Reuters dhe Agence France-Presse (AFP), ndërsa përveç Zërit të Amerikës, kjo agjenci financon edhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe Radio Azia e Lirë.

Por urdhri i Trump për shkrirjen e agjencive mediatike të financuara nga qeveria amerikane duket se nuk lidhet vetëm kursimin financiar.  Sipas Corriere Della Sera në fjalimin e së premtes në departamentin e Drejtësisë, kreu i Shtëpisë së Bardhë sulmoi mediat më në zë amerikane si CNN, MSNBC dhe Uall Street Journal (gazeta më e rëndësishme e botës financiare dhe e së djathtës konservatore) për shkrime kundër tij duke i cilësuar të paligjshme pasi shkruajnë negativisht mbi proceset e tij gjyqësore. Dhe kjo gjë thotë Trump duhet të ndalet. Akuzën e zgjeroi edhe ndaj kritikave ndaj politikës së tij të tarifave doganore.

Me ardhjen e Trump në krye të shtëpisë së Bardhë marrëdhëniet me shtypin janë të tensionuara. Associated Press ka ngritur padi pasi Shtëpia e Bardhë ndaloi gazetarët e saj nga pjesëmarrja në konferencat e shtypit.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mara emigrante ne Itali: 15/03/2025 21:04

    O kancer I Shqiperise po pse mbyllja e tik tokut quhet çensure nga qeveria ? Mos te zente dita e shenjte e bajramit se dio vole , Ti dogje , vrave , shkaterove gjithçka dhe drejtesia dumani rri te degjon si buf, ti duhet te ishe ne burg te perjetshem .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?