Gjykata Kushtetuese ka vendosur të lërë të pandryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Fatjon Karmeshtnës, i shpallur fajtor për vrasjen e një gruaje në Melgushë të Shkodrës, në prill të vitit 2016.
Karmeshtna është dënuar në të tre shkallët e gjyqësorit për vrasjen e Suela Sulës, bashkëshortes së Sadetin Sulës, pronar i mobilerisë ku Karmeshtna punonte. Krimi, sipas vendimeve gjyqësore, është kryer me urdhër të Sadetin Sulës.
Para Gjykatës Kushtetuese, 42-vjeçari kërkoi shfuqizimin e tre vendimeve gjyqësore, duke pretenduar se gjykatat e mëparshme nuk kishin kryer hetim të plotë dhe të gjithanshëm, se kishin injoruar prova të kërkuara prej tij dhe se vendimet ishin bazuar në prova të paqena dhe të pa mbledhura sipas ligjit.
Megjithatë, në shqyrtimin paraprak të ankimit, një kolegj prej tre anëtarësh i Gjykatës Kushtetuese konstatoi se pretendimet e Karmeshtnës për cenim të të drejtave kushtetuese ishin haptazi të pabazuara. Për këtë arsye, gjykata vendosi të mos e kalojë çështjen për gjykim, duke lënë kështu në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.
Fatjon Karmeshtna u arrestua në vitin 2018, gati dy vjet pas ngjarjes, kur Suela Sula u gjet e pajetë në tualetin e mobilerisë në pronësi të bashkëshortit të saj, Sadetin Sula. Fillimisht, dyshimet u përqendruan vetëm te biznesmeni, por hetimet zbuluan se ai ishte organizatori i krimit.
Sipas vendimeve gjyqësore, vrasja u krye nga Karmeshtna me duar dhe mjete të tjera, me urdhër të punëdhënësit të tij. Në gjykatë u provua se materiali gjenetik i gjetur në thonjtë e viktimës përputhej me ADN-në e Karmeshtnës.
Gjykata konstatoi se krimi ishte pasojë e një marrëdhënieje të tensionuar bashkëshortore për shkak të xhelozisë së Sadetin Sulës, i cili e planifikoi vrasjen për të mos lejuar që bashkëshortja e tij të përfitonte pasuri në rast divorci. Për të njëjtën ngjarje, edhe Sadetin Sula është dënuar me burgim të përjetshëm.
Komente
