Lucy Letby

Mbyti shtatë foshnje në një spital, infermierja britanike shpallet fajtore! Tentoi të vriste edhe 6 të tjerë

18 Gusht 2023, 15:54| Përditesimi: 18 Gusht 2023, 16:02

  • Share

Lucy Letby është shpallur fajtore për vrasjen e pesë djemve dhe dy vajzave dhe tentativës për të vrarë 10 foshnje të tjera në spitalin "Countess of Chester".

Infermierja e akuzuar për vrasjen e shtatë foshnjave të lindura para kohe dhe përpjekja për të vrarë dhjetë të tjerë, është shpallur fajtore ditën e sotme, nga një vendim që gjykata britanike mori, duke e bërë 33-vejçaren nga Hereford, vrasësen më të madhe të foshnjave në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar.

Letby akuzohet se ka përdorur turnet e natës për të kryer sulmet ndaj foshnjeve, sepse ajo e dinte se prindërit nuk kishin gjasa të vizitonin repartin e të porsalindurve.

Mediat britanike, të cilave Shqiptarja.com u referohet thonë se 33-vejçarja vrau foshnjat duke i mbytur, gjatë kohës që punonte në spitalin "Countess of Chester", që përkon me periudhën midis qershorit 2015 dhe qershorit 2016.

Letby u shpall gjithashtu fajtore për vrasje të mbetur në tentativë për 6 të tjerë, duke përdorur metoda të tilla si injektimi i qëllimshëm i ajrit, ushqyerja e tepërt dhe helmimi me insulinë.

Aktakuza ndaj saj kishte gjithsej 22 pika.

Vendimi u mor pasi trupi gjykues diskutoi për më shumë se 110 orë. Gjatë gjyqit, i cili zgjati më shumë se 10 muaj.Ajo sot nuk ishte e pranishme në gjykatë gjatë dhënies së verdiktit, por prindërit e saj ishin të pranishëm gjatë gjykimit.

Babai i saj qëndronte kokëulur, ndërsa nëna e saj qante. Prindërit e foshnjave ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

Prokurorët thanë se donin 28 ditë për të shqyrtuar nëse do të kërkonin një gjyq të ri për gjashtë akuzat e pazgjidhura. Ata kanë afat deri më 15 shtator për të marrë këtë vendim.

Lucy Letby lindi më 4 janar 1990 dhe u rrit në Hereford me prindërit e saj, John dhe Susan. Ajo gjithmonë kishte dëshiruar të punonte me fëmijë dhe zgjodhi lëndët që do ta mbështesin më së miri për të vijuar karrierën si infermiere.Pas përfundimit të studimeve, punoi në spitalin Kontesha e Chester nga janari 2012.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?