Mbytja e anijes “Bayesian” të miliarderit Lynch, Prokuroria e Palermos merr nën hetim 3 drejtuesit e ekuipazhit

28 Gusht, 14:09| Përditesimi: 28 Gusht, 15:09

  • Share

Prokuroria e Palermos merr nën hetim 3 persona për mbytjen e superjahtit “Bayesian” më 19 Gusht në brigjet e Porticello në Itali, ku vdiqën miliarderi Mike Lynch, vajza e tij dhe 5 anëtarë të stafit, teksa 15 persona të tjerë mbijetuan, mes tyre edhe një fëmijë.

Përveç komandantit James Cutfield, nën hetim janë marrë oficeri inxhinier Tim Parker Eaton, një anglez 56-vjeçar dhe marinari po britanik, 22-vjeçari Matthew Griffith. Ky i fundit ishte në rojë natën e katastrofës natyrore, teksa stuhia tërhoqi dhe zhyti në 50 metra thellësi anijen luksoze me vlerë miliona euro, të babait të jahteve dhe teknologjisë së spiunazhit Mike Lynch, raporton “La Repubblica”.

Të tre e lanë bordin e mjetit lundrues para mbytjes, duke u dyshuar si përgjegjës në një vrasje me dashje të mundshme.

Përmbytja e motorit konsiderohet aktualisht edhe një nga faktorët që shkaktoi fundosjen e anijes me vela, e cila ndodhi në një dinamikë prej 16 minutash, rreth orës 04:10 të mëngjesit të së hënës së 19 Gushtit.

Tim Parker Eaton, Matthew Griffith dhe kapiteni James Cutfield, duhet të përgjigjen për mbytjen e anijes dhe vrasjen e shumëfishtë, teksa më herët janë marrë në pyetje, por shumë prej tyre refuzuan t’u përgjigjeshin.

Media italiane në fjalë shkruan se nuk përjashtohet që më vonë të merren nën hetim edhe persona të tjerë të ekuipazhit. Komandanti nga  Zelanda e Re, Cutfield, i dyshuari kryesor i ngjarjes, kur u mor në pyetje nga gjyqtarët pas ngjarjes, shfrytëzoi të drejtën për të mos u përgjigjur.

I dyshuari Tim Parker Eaton ishte në krye të dhomës së motorit, një nga zonat që sipas ekspertëve nuk duhet të përmbytet kurrë. Hipoteza e hetuesve është se dyert e papërshkueshme nga uji që ndajnë dhomat e sipërme, përfshi atë të motorit, me kuvertën e poshtme, mbetën të hapura gjatë minutave para fundosjes.

“Nëse sistemi i mbylljes automatike do të ishte në funksionim të rregullt, sensorët, pasi kishin ndier praninë e ujit, do të kishin mbyllur dyert e papërshkueshme nga uji, duke krijuar një mjedis “të thatë” të mjaftueshëm për të garantuar lëvizshmërinë e anijes”, nënvizon një hetues.

Animi nga stuhia i mjetit, mbushja me ujë, lëvizja e direkut dhe shkëputja e spirancës, dyshohet se ishin shkaqet që sollën edhe tragjedinë.

Kurse lënia hapur e dyerve, sipas hetimit nga prokurorët, ishte përgjegjësi e oficerit Matthew Griffith. Dhe ai thjesht duhet të shtypte një buton në pult, i cili do shmangte edhe tragjedinë. Aktualisht po hetohet nëse të tre të dyshuarit përgjegjës për dinamikën fatkeqe, kanë vepruar për të shpëtuar veten apo nën një paramendim dhe këtë do e zbulojë vetëm autoriteti hetimor i rastit.

Trupat u nxorën nga grupet e kërkimit pas 4 ditësh operacioni dhe iu nënshtruan autopsive.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?