McCarthy në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, korrespondenti i Report TV në SHBA: E pamundur të hetojë Biden! Nuk ka mjaftueshëm vota

7 Janar 2023, 17:50| Përditesimi: 7 Janar 2023, 18:16

  • Share

Korrespondenti i Report TV, Denion Ndrenika u shpreh se pavarësisht zgjedhjes së Kevin McCarthy në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, ky i fundit nuk do kishte mundësi të hetonte presidentin Joe Biden për pasuritë e familjes së tij.

Në një lidhje ‘skype’ për studion e Report TV, Ndrenika tha se McCarthy e kishte deklaruar më herët këtë në kuadër të fushatës për t’u zgjedhur në krye të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai tha se ishte e pamundur që ndaj Biden të ndërmerrej një hetim i tillë sepse liberalët nuk do bashkëpunonin kurrë me ‘ekstremistët’ pas të cilëve qëndron ish presidenti Donald Trump.

“Kjo ka qenë gjithë kohës retorikë edhe në fushatën e republikanëve por numri i votëve vështirë se do u japë mundësinë për ta bërë këtë. E shoh të vështirë që ai të ketë mundësi për të hetuar presidentin Biden. Ajo ka qenë më tepër në kuadër fushate. Është e pamundur që liberalët të bëhen bashkë me ekstremistët për të hetuar zotin Biden”- u shpreh Ndrenika.

Korrespondenti i Report TV tha se numri i votave që republikanët duhej të siguronin për nisjen e hetimeve e pamundësontë këtë retorikë të përdorur nga McCarthy gjatë fushatës. Ndërsa tha se vetë McCarthy ka deklaruar se do të bashkëpunonte edhe me presidentin Biden në interes të vendit.

“Vetë McCarthy pavarësisht se këto kanë qenë çështje të fushatës e ka deklaruar se do veprojë në favor të interesit të vendit dhe jo vetëm në interes të partisë Republikane. Numri i votave i pamundëson qëllimet që republikanët kanë mbi hetimet e Biden”-përfundoi Ndrenika.

Kevin McCarthy u zgjodh në krye të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA. Zgjedhja e tij u bë pas 15 raundesh zgjedhje për shkak se nuk po arrihej numri i nevojshëm i votave. Ai në fund arriti të siguronte 216 vota, duke falënderuar edhe ish presidentin Donald Trump për mbështetjen e ofruar.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?