Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, njoftoi të martën se ligjvënësit do të nisin hetimet për të përcaktuar nëse ka bazë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Joe Biden. Vendimi është një hap më tej në hetimet lidhur me dyshimet se Presidenti Biden ka përfituar nga marrëveshjet e huaja të biznesit të djalit të tij Hunter Biden.
Pas muajsh hetimesh, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluara nga republikanët do të nisin hetimet mbi ngritjen ose jo të akuzave për shkarkim të Presidentit Joe Biden.
“Përmes hetimeve tona ne kemi zbuluar se Presidenti Biden e ka gënjyer popullin amerikan për njohuritë e tij mbi lidhjet e huaja të biznesit të familjes së tij.”
Njoftimi i ligjvënësit McCarthy pason disa muaj të trysnisë nga ligjvënësit konservatorë.
“Unë mendoj se nëse qytetarë të tjerë do të kishin bërë të njëjtat shkelje që ka bërë Presidenti, ata tani do të ishin në gjykatë”, thotë Scott Perry, kryetar i grupit të ligjvënësve konservatorë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Demokratët thonë se republikanët nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë provë për shkelje nga Presidenti Biden pas hetimeve disa mujore, në të cilat dhjetëra mijëra dokumente iu dorëzuan hetuesve.
“Vendimi për të hetuar Presidentin Biden është absurd. Populli amerikan dëshiron që ne të bëjmë diçka për përmirësimin e jetës së tyre, jo të merremi me hetime dhe gjueti shtrigash", tha Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës demokrate në Senat.
Republikanët kanë një epërsi shumë të lehtë në Dhomën e Përfaqësuesve, me vetëm pesë ligjvënës më shumë se sa demokratët.
“Është gjithashtu e mundur që akuzat ndaj Presidentit Biden të mos arrijnë në Senat. Me një shumicë të vogël, nuk është e qartë se si republikanët do të mund të siguronin votat e nevojshme. Ata nuk mund të llogarisin në mbështetjen e ndonjë ligjvënësi demokrat. Kështu që ata duhet të ruajnë unitetin dhe mbështetjen e secilit anëtarë të tyre. Nëse humbasin mbështetjen e vetëm pesë prej tyre, ata nuk do të jenë në gjendje të miratojnë akuzat për shkarkim të Presidentit”, thotë Michael Thorning nga Qendra e Politikave Dypartiake.
Disa republikanë kanë shprehur shqetësimin lidhur me thellimin e hetimeve ndaj Presidentit Biden në prag të zgjedhjeve të vitit 2024. Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili ka thënë në të kaluarën se akuzat për shkarkim të një Presidenti duhet të jenë një proces i rrallë, nuk pranoi të bënte komente të martën.
"Ne tani kemi shumë punë, jemi duke u përpjekur të miratojmë buxhetin", tha ai.
Njoftimi i nisjes së hetimeve gjithashtu krijon një përballje të re midis Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë, pasi ligjvënësit duhet të arrijnë një marrëveshje me Presidentin Biden për të mbajtur qeverinë hapur pas mbarimit të fondeve më 30 shtator. Nëse ka një mbyllje të qeverisë, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve nuk do të mund vazhdonin hetimet ndaj Presidentit Biden./VOA
McCarthy: Pohimet për shpërdorim detyre kërkojnë një thellim të hetimit ndaj zotit Biden
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, njoftoi të martën se ligjvënësit do të nisin hetimet për të përcaktuar nëse ka bazë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Joe Biden. Vendimi është një hap më tej në hetimet lidhur me dyshimet se Presidenti Biden ka përfituar nga marrëveshjet e huaja të biznesit të djalit të tij Hunter Biden
Redaksia