Moment nga gara në Silverstone

Sport

McLaren shkëlqen në Silverstone, 'dopietë e artë' me Norris dhe Piastri! Hulkenberg surprizon me podiumin historik

7 Korrik, 08:22| Përditesimi: 7 Korrik, 13:01

  • Share

Silverstone, Britani e Madhe - Një Çmim i Madh britanik me mot të 'çmendur'; shi, diell, pastaj sërish shi, solli një nga garat më kaotike dhe emocionuese të këtij sezoni në Formula 1. Në fund, ishte McLaren që festoi më shumë, me një 'dopietë të artë'. Lando Norris në vendin e parë dhe Oscar Piastri në të dytin.

Norris i pandalshëm, Piastri penalizohet

Lando Norris vazhdon momentin e mirë duke siguruar fitoren e dytë radhazi dhe të katërtën sezonale. Britaniku përfitoi nga gabimet e rivalëve dhe mbajti qetësinë në kushtet atmosferike të paparashikueshme.

Oscar Piastri u rendit i dyti, por fitorja e tij u komplikua në mes të garës kur u ndëshkua me një penalizim prej 10 sekondash për frenim të papritur në vijën e drejtë mes kthesave 14 dhe 15, moment që i dha Max Verstappen mundësinë ta parakalojë përkohësisht.

Podiumi i parë pas 238 garash për Hulkenberg

Heroi i padiskutueshëm i ditës së dielë ishte Nico Hulkenberg, që siguroi podiumin e parë në karrierë pas 238 garash në Formula 1. Me një strategji të mençur dhe një pilotim të qëndrueshëm, ai e çoi Sauberin në vendin e tretë, duke lënë pas Lewis Hamilton me Ferrarin.

Zhgënjim për Leclerc, gabime për Russell dhe Mercedes

Charles Leclerc pati një fundjavë për t’u harruar, duke përfunduar në vendin e 14-të, larg pritshmërive dhe ritmit të skuadrës. Max Verstappen u rikthye deri në vendin e pestë, ndërsa pas tij u renditën Pierre Gasly (Alpine), Lance Stroll (Aston Martin), Alexander Albon, Fernando Alonso dhe George Russell. Piloti britanik i Mercedesit vuajti nga zgjedhje të dobëta strategjike, që i kushtuan renditjen në një garë ku pati mundësinë të ishte mes më të mirëve.

Pas garës në Silverstone, Oscar Piastri me 234 pikë mban vendin e parë, tetë më shumë se Lando Norris. Pas dy shokëve të McLaren renditet Max Verstappen me 165 pikë. Për Konstruktorë, McLaren me 460 pikë duket se ka "prekur" trofeun, duke lënë pas Ferrarin me 222 pikë dhe Mercedes me 210 pikë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?