'Shteti në e-Albania', nga 1 maji të gjitha shërbimet online, mbyllen sportelet! Rama: Stacion historik i Revolucionit Digjital! S'ka më radhë, zvarritje e bakshishe

27 Prill 2022, 11:16| Përditesimi: 27 Prill 2022, 12:50

  • Share

Për mbi 95% të shërbimeve publike të ofruara nga shteti, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të dalin nga shtëpia. Nga 1 maji, këto shërbime do të ofrohen online, ndërsa do të marrë fund 'epoka' e sporteleve. Në këtë mënyrë qytetarët do të kursejnë kohë, do të shmangin radhën, e po ashtu i jep fund edhe korrupsionit në këmbim të një shërbimi të caktuar.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi kalimin online të shërbimeve publike një stacion historik të Revolucionit Digjital, teksa shtoi se do të përmirësohet shërbimi i administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit.

"Në 1 maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale, dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale. Ky është një stacion historik i Revolucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit", tha Rama.

Ndonëse pranoi se në ditët e para të marrjes online të këtyre shërbimeve mund të ketë ngërçe apo problematika, Rama theksoi se kurrsesi sportelet nuk do të hapen më.  

"Drejtorët e Përgjithshme ta dinë se nuk do të ketë asnjë derë hapur. Derën hapur e kanë online. Janë të gjitha në xhep. Kemi realizuar atë që për të cilën jemi zotuar prej vitesh, që shtetin do ta fusim në xhep. Ndaj edhe qytetari të vetmen gjë që duhet të bëjë është të shkojë në e-Albania", tha ai. 

Kryeministri i dha përgjigje edhe pikëpyetjeve mbi fatin e punonjësve në sportele, ku tha se asnjëri prej tyre nuk do të hiqet nga puna, por do të bëjnë një tjetër lloje pune tashmë. Nga 1 maji, ata nuk do të kenë më përballë qytetarët, por vetëm aplikimet e tyre.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në një raport për vitin 2021-2022, e renditi Shqipërinë në vendin e parë në rajon për qeverisjen dixhitale. Po ashtu Shqipëria lë pas edhe disa shtete të BE, si Gjermaninë, Italinë, Greqinë e Hungarinë.

Ora 12:36
Rama tregon ‘anekdotën’, si u mor vendimi në Këshillin e Ministrave: Një ditë të bukur u tha, kjo godinë nuk pret më letra

 

Kryeministri Edi Rama tregoi se si u mor vendimi në Këshillin e Ministrave që të mos priten më letra, por gjithçka të funksionojë përmes sistemit, gjë që solli më pas idenë e platformës e-albania për të marrë shërbimet online.

“Ka disa pjesë që do të testohen se përndryshe nuk kishin për tu bërë kurrë. Do të them një anekdotë reale, jo barsaletë: Qeveria jonë e kishte gati sistemin e funksionimit për të mos pasur më qarkullim letrash dhe për të mundësuar që të gjitha aktet që kalojnë në qeveri të vinin në Këshillin e Ministrave dhe të materializoheshin pa letra, e kishim sistemin aty, u deshën vite që letrat të hiqeshin nga sistemet, të mësuarit për një jetë të tërë në letra nuk është një pengesë e thjeshtë për tu kapërcyer, ajo që nuk ndryshoi për disa vite, ndryshoi për një javë, një ditë të bukur u tha kjo godinë (Këshilli i Ministrave) nuk pret më letra.

Çdo letër që vjen në këtë godinë do të kthehet mbrapsht dhe çdo ministri duhet t’i sjellë me sistem, jo me letra. Besojeni ose jo nuk pati asnjë problem, menjëherë u bë ndryshimi se nevoja për të vijuar punën ishte dhe është më e madhe. Nuk ka më sportele, nuk ka më kontakt fizik”, tha Rama.

Ora 12:27
Rama tregon projektin tjetër: Brenda vitit të ardhshëm do të keni asistentin digjital me zë, i ngjashëm me 'Siri-n'

 

Kryeministri Edi Rama tha se qytetari do të marrë përgjigje online për pyetjet që ka rreth shërbimeve të ndryshme. Brenda vitit të ardhshëm, në e-albania do të jetë asistenti digjital (shërbimi me zë) i ngjashëm me Siri-n, një shërbim që ofrohet në telefona celularë për të bërë kërkime në internet apo për shërbime të tjera.

"Ndërkohë që ne kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë siç është Siri, kështu do të jetë asistenti digjital i çdo sistemi. Asistentin e pyesni me zë dhe nga shtëpia dhe do ju përgjigjet për të gjithë atë gamë që lidhet me dokumente. Mbetet i rëndësishëm njeriu, roli juaj dhe i të gjithë atyre që janë deri më 1 maj në sportele.

Nuk do të ketë më zyra më 1 maj, por do të mbyllen për të hyrë njerëz nga jashtë brenda, por brenda do të vijojë puna për shërbimin ndaj qytetarëve që i gjithë procesi i aplikimeve të bëhet me sukses dhe askush të mos e pengojë. Unë dua të them që me këtë sistem sot, kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien mes qytetarëve dhe shteteve dhe kemi mundësi që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku fjala shërbim të marrë kuptimin e vet më të plotë dhe më kuptimplotë. Sistemi është i gjithi gati", tha Rama.

Ora 12:19
Rama: Nuk do hiqen nga puna ata që punojnë në sportele, por nuk do ketë më përballë qytetarët

Duke theksuar të gjitha ndryshimet pozitive që sjell kalimi online i shërbimeve, kryeministri Edi Rama theksoi se të gjithë ata që punojnë në sportele nuk do të hiqen nga puna, por do të bëjnë një tjetër punë. Ai u shpreh se ata nuk do të kenë më përballë qytetarët, pro vetëm aplikimet e tyre dhe se në këtë mënyrë i jepet fund edhe korrupsionit.

"Ky është një ndryshim kolosal. Shqipëria ka shkuar në vendin e 17 për shërbimet dixhitale dhe pas nesh janë vende shumë më të zhvilluara se ne. Jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit dixhital dhe i japim një shtytje larg korrupsionit në shërbim, bakshishit dhe ryshfetit. Nuk do iki njeri nga puna, por do bëjnë punë tjetër. Në vend të marrjes në pyetje të qytetarëve, do merren me plotësimin e dosjeve online të qytetarëve. Nëse për të marrë një dokument x, duhen edhe 5 dokumente të tjera që deri dje ishte i detyruar t'i merrte qytetari, pas datës 1 maj të gjitha do garantohen nga sistemi. Çdo kush që sot punon në sportel nuk do ketë më përballë qytetarët, pro kompjuterin dhe qytetarët do jenë aty vetëm në formën e aplikimeve. Qytetari do e marrë përgjigjen po online", tha Rama.

Ora 12:12
Të gjitha shërbimet në platformë, Rama: Ministria e Brendshme të tërheqë printerat, s’ka më certifikata me letër

 

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka thënë që s’ka më asnjë kuptim që në pikat e gjendjes civile të shpërndahen certifikata letër, duke qenë se gjithçka mund të realizohet online.

“Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjitha printerët dhe letrat nga zyrat e gjendjes civile, nuk duhet të prodhojë më certifikatë më letra. Sepse nuk ka më nevojë. Janë 7 milionë euro që janë kursyer nga sportelet që harxhoheshin për të marrë letra. Dhe do të kursehen edhe më shumë. Është e padrejtë që njerëzve vazhdon dhe i jepen certifikatë letër. Nuk ka nevojë të lëvizë qytetari nga vendi. Mjafton të hyjë te platforma dhe ka marrë shërbimin. Të gjitha shërbimet janë kështu, përfshi edhe famëkeqen hipotekë. S’ka më nevojë të futesh në ato labirinte. Prandaj edhe të gjitha sportelet kanë filluar të mbyllen”, tha Rama.

 

Ora 12:07
'Prej dixhitalizimit gjermanët na njohën patentat', Rama tregon historinë: U shokuan kur panë transformimin

Për të treguar ndryshimet që sjellë në administratë dixhitalizimi dhe kalimi i të gjitha shërbimeve online, Rama solli si shembull transformimet e kryera në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit. Kryeministri përmendi njohjen e patentave shqiptare në Gjermani, ku u shpreh se inspektorët gjermanë dhanë dakordësinë dhe  u 'shokuan' kur panë transformimin.

"Një ditë  e shënuar për historiën e administratës sonë. E nis me një shembull,  ai i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit, që përbën një burim domethënës informacioni dhe eksperience për këtë proces që e çon administratën nga një makineri e shtrirë në territor me zyra e njerëz, radhë..., në një instrument në shërbim të çdo qytetari në xhep, në smartphone apo kompjuter. Është një transformim i jashtëzakonshëm për të cilin ka një shembull ndër shumë të tjerë, por më kuptimpoti. Ishte e paimagjinueshme që Gjermania, shteti më strikt në Europë, të njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë, të cilat buronin nga një proces i gjurmueshëm. Ka patur një numër të konsiderueshëm lejesh drejtimi të dhëna në mënyrë të parregullt dhe ishte e paimagjinueshme që Gjermania do njihte lejet e drejtimit të Shqipërisë. Për ta ishte  e pakuptimtë si mund të pretendonte Shqiëpria të ishte e barabartë në këtë aspekt, pro pastaj duke ditur se kemi bërë një progres të kosndierueshëm se çfarë kishte sjellë dixhitalizimi në atë drejtori, ne kërkuam të vinte një inspektim. Inspektimi i Ministrisë së Transporteve të Gjermanisë doli pozitiv dhe inspektorët gjermanë ishin të shokuar se nuk e prisnin atë lloj realiteti të transformuar rrënjësisht. Vetëm përmes dixhitalizimit i jepet mundësia administratës të bëjë performancën më të lartë", tha Rama.

Ora 12:04
Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe: Shërbimet e transportit rrugor janë një histori suksesi, u ka kthyer xhepit të shqiptarëve rreth 2 miliardë lekë

 

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe tha se mbyllja e sporteleve duke bërë të mundur që shërbimet të kryhen online bën një histori suksesi për vendin tonë.

“DPSHTRR ofronte vetëm katër shërbime të çala online në fund të 2018-s, dhe sot kemi 77 shërbime online për qytetarët dhe subjekteve në platformën e qeverisjes digjitale dhe në web, pra rreth 19-fish se katër vite më parë. Falë investimeve në sistemin eklektronik në vitin 2021, u ofrua në formë digjitale ose u eliminuan plotësisht 2,4 milionë shërbime, duke eliminuar pritjet dhe angaritë në sportele dhe duke iu kursyer qytetarëve kohë.

Vetëm gjatë vitit 2021 janë eliminuar plotësisht mbi 493 mijë shërbime përmes ristrukturimit të procedurave, që është një element tjetër i punës për digjitalizimin, duke i kursyer qytetarëve mbi 25 milionë km.

Shërbimet e transportit rrugor me plot gojën mund të quhen se janë një histori suksesi. Përmes platformës e-albania kemi 1.5 milionë shërbime për qytetarët, subjektet, bizneset duke e 13-fishuar në vitin 2021 gamën e shërbimeve aktive krahasuar me 2018.

Revulcioni digjital ka vetëm një moto që është interesi publik, DPSHTRR, që është një shërbëtor publik, vetëm për vitin 2021 u ka kthyer xhepit të qytetarëve rreth 2 miliardë lekë të reja”, tha Gonxhja.

Ora 11:55
Kalimi i shërbimeve online, kreu i Kadastrës: S'ka më histori 'merrja pronën Lenës e jepja Prenës'! Të gjithëve do i shërbehet njësoj

Kreu i Kadastrës, Artan Lame tha se kalimi i shërbimeve publike online ka funksionuar edhe në këtë fushë, ku gjatë vitit të kaluar janë dhënë 1.51 milion shërbime kadastrale, nga të cilat 242 mijë certifikata pronësie. Sipas Lames, kjo i jep fund edhe historive të tjetërsimit të pronave.

"Në 30 vjet, çështja më stresuese për shqiptarët ka qenë prona dhe shërbimet me të, por për vitin e kaluar vetëm në këtë fushë u dhanë 1.51 mln shërbime kadastrale nga të cilat 242 mijë certifikata e pronësie, të gjitha online. Dyfishi i vitit paraardhës. Është e kaluar historia merrja pronën njërit jepja tjetrit. Tani kemi detyrë që edhe Lenës edhe Prenës t'i shërbehet njësoj dhe në kohë. Të gjithë në fillim kishim dyshime, unë i pari kisha shumë dyshime, por viti i kaluar tregoi se funksionon. Aplikimi  qytetarëve në Kadastër ka ende probleme me vonesat, gabimet e bëra dhe mitmarrja dhe këto janë sfida e këtij viti për institucionin, por tashmë nuk ka më sportele, nuk janë më ata llafollogët e sporteleve, ata tashmë janë pas një kompjuteri ku nuk takojmë më njeri por presin aplikimin për ta ndjekur e për t'i dhënë përgjigje. Ajo që pritet nga qytetarët është që të kenë besim te sistemi", tha ai.

Ora 11:48
Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet: Pandemia përmirësoi procesin e dixhitalizimit, kyçi i reformës është të hetohen parregullsitë

 

Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi tha se pandemia e Covid-19 kur të gjithë u izoluan për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, përmirësoi procesin e dixhitalizimit pasi pjesa më e madhe e shërbimeve ofroheshin online.

“Shqipëria në të gjithë këto vite ka marrë nota pozitive në shumë raporte. Ne po luftojmë korrupsionin duke shmangur kontaktin me punonjësit civilë, të shmangim radhët e gjata. Të gjithë e kemi akoma të freskët atë që na ndodhi në vitin 2020 kur pandemia na izoloi të gjithëve dhe morëm pagat online.

Dixhitalizimi është një proces që u zgjerua dhe u përmirësua falë Covid-19. Në këtë moment, për qeverinë shqiptare, zgjerimi dhe promovimi i shërbimeve dixhitale duke repsektuar parimet e konkurrencës së lirë europiane kthehet në angazhim shumë të madh. Procesi i dixhitalizimit është kyçi i të gjithë kësaj reforme dhe të hetojë parregullsitë.

Në të gjithë këtë proces e kemi të qartë se për këtë punë na duhet një administratë e drejtë.Të gjithë jemi mbledhur për këtë moment historik”, tha Ekonomi.

Ora 11:40
Fagu: Nga 30 prilli, mbyllen sportelet e QKB në të gjithë territorin e vendit! Pajisuni me nënshkrim elektronik për shërbimet online

 

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Pranvera Fagu tha se QKB ka 179 shërbime online falë procesit të dixhitalizimit. Fagu u shpreh se duke nisur nga 30 prilli, do të jenë të mbyllura të gjithë sportelet e QKB dhe çdo gjë do të kryhet përmes shërbimeve online. Bizneseve i thotë që të pajisen me nënshkrim elektronik për të përfituar shërbimet.

“Jemi këtu pas dy vitesh që kemi filluar të ecim në këtë rrugëtim të revolucionit digjital. E filluam duke inkurajuar bizneset për të aplikuar online dhe që nga 1 janari 2020, duke ofruar 120 shërbime online dhe pas 30 prillit të gjitha shërbimet, 179 shërbime që ofron QKB falë punës së AKSHI-t do të ofrohen vetëm online.

Më datë 30 prill sportelet e QKB do jenë të mbyllura në të gjithë territorin e vendit, por kjo do të thotë që ne do të jemi më afër me biznesin për ta mbështetur atë. Kjo mbështetje do të jetë vetëm një klik larg.

Ne përsëri do të jemi aty, por jo më në një sportel, por pas tij për të garantuar të bërit biznes, që komoditeti të ndihet të kudo dhe kurdo, duke shfrytëzuar këtë moment, më lejoni t’i drejtohem me një mesazh të gjithë subjekteve aplikuese, që të përfitoni të gjitha lehtësitë e shërbimit online, lutem pajisuni me nënshkrim elektronik. Pajisja me nënshkrim elektronik do t’ju mundësojë të përfitoni të gjitha shërbimet nga zyrat apo telefonat tuaj”, tha Fagu.

Ora 11:31
Drejtoresha e AKSHI-t: Brenda 2 viteve, ambicia jonë është që të kemi një sistem të qendërzuar për punën e administratës publike

 

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj përmendi raportin e OECD Sigmës duke thënë se e vendosi Shqipërinë në vend të parë për qeverisjen dixhitale. Ndër të tjera thotë se duke nisur nga 30 prilli, do të ndryshojë mënyra se si administrata i shërben qytetarëve dhe bizneseve.

"Shqipëria renditet e para në rajon për shërbimet dixhitale. Nuk është ky raporti i vetëm, raporti vjetor i OECD Sigmës e vendosi Shqipërinë në vend të parë për qeverisjen dixhitale.

Qytetarët shqiptarë shërbehen më mirë, më shpejt dhe janë më të kënaqur se qytetarët në Maqedoni, Kosovë, Bosnje Hercegovinë. Krahas familjaritetit që qytetarët kanë me e-albania, raporti vlerëson investimin e qeverisë në infrastrukturë. Janë 17 milionë transaksione çdo ditë. Sipas raportit të Sigmës, shërbimet janë më të mirë, cilësia e tyre është rritur. Vlerësim kemi marrë dhe nga raportet e DASH, OKB dhe BE.

E kemi nisur me vetëm 14 shërbime, sot janë 1225. E kemi nisur me 50 mijë, sot janë 2.5 milion qytetar dhe biznese që e përdorin çdo ditë platformën e-albania. Të gjithë mund ta imagjinojmë se çfarë transformimi ka sjellë.

Sot është koha për tjetër transformim. Nga 30 prilli, do të ndryshojë mënyra si administrata i shërben qytetarëve dhe bizneseve. Përgjigjet do të monitorohen në kohë reale dhe shëbrimet që nuk kanë nevojë për prezencë të personit dhe mjetit, do të merren vetëm në e-albania. Janë plot 20 milionë dokumente të gjeneruara me vulë dixhitale. Këto përkthehen në 20 milionë ecejake që ia kemi kursyer qytetarëve dhe bizneseve. Nuk ka më ryshfete e strapacime.

Do i japim fund njëherë e përgjithmonë korrupsionit e bakshisheve. Do të kemi zero letër të printuar, zero dokumente të humbura zero bojë apo printera që amortizohen. Brenda 2 viteve të ardhshme, të kemi një sistem të qendërzuar për të gjithë punën e administratës publike. Aministrata do të kalojë komplet pa letër.

Mezi pres arritjet e radhës", tha Karçanaj.

Komento

Komente

  • Iris: 28/04/2022 01:50

    Si ide,dixhitalizimi eshte e mire,por duhet parapergatitur stafi dhe duhet te merren masa kunder hakerimit,vjedhjes dhe nderhyrjeve ne te dhenat dixhitale,gjithashtu,nuk duhet harruar se bota akoma kerkon dokumente ne leter dhe me vule te thate.Gjithashtu duhet sqaruar se si do te behen pagesat per dokumente,ketu nuk e kam fjalen per bakshishet,por per pagesat standarte sipas sherbimit e ligjit.Do te behen me cek,me karte? Dhe nuk duhet harruar, qe jo te gjithe dine te perdorin,apo kane kompjuter e cel.dhe jo te gjithe kane mundesi te paguajne me cek,ose aq me keq me karte.Sherbimet u duhen te gjithe shtresave sociale,por jo te gjithe kane mundesi.

    Përgjigju
  • Sherbim online pa administrate te korruptuar: 27/04/2022 16:39

    Po mire z.Rama shmire sherbimi online, sidomos kadastra te largohen nga sporteli,ne fakt aplikimet online, nuk zbatohen ne kohe as stafi i saj nuk lexojne aplikimet, edhe me komunikim fizik. Stafi eshte i dobet si jurist e inxhinier, nuk dijne te punojne, te paafte edhe te integruar me sisteme moderne te dixhitalizuar. E me e keqja si mund te jete aty prezent noter Zhelegu (person i akuzuar per falsifikime me dokumenta qe ka dorezuar ne hipoteke, i arrestuar dy here si doganier e si noter), ai qendron pas kryenoteres dhe Lames. Ai se bashku me sekserin e tij me zyre private ne kadaster kryen aplikime pronash e hyjne ne kadaster si staf pune. Kulmiiii e ti pretendon se jemi te listuar ne vend 17, po nuk pastrove administraten e piset qe kryejne punet te mashtruesve si Zhelegu me shoket e tij (shpejt do vij vetingu i notereve). Zhelegu noter dhe bashke me gruan e tij si investitore nderton pallate, pra parate e pista te Spidhese etj qe falsifikoi dokumentat ne prone shtet, e regjistroi te hipoteka e Lames, do ia marri SPAKU. Shihni qytetar ku fshihet si miush pas rreshtit te kryenoteres me Lamen. Jo Rama nuk mund te lavderohesh, pa pastruar administrate,per sherbim te paster, te marresh voten e qytetareve si kryeminister por edhe me vone mund te kerkosh te jesh President se ego jote ta kerkon edhe realizon ti per nature qe ke treguar.

    Përgjigju
  • Kasem Rexhep Bule Öeka [ kepi ]: 27/04/2022 15:46

    O komentusa sa pa din e iman që jeni vetëm helm lëshoni nga goja. Po thoni mor Zot bravo që po bëhet si Evropa Shqipria po vetëm shani e vetëm thoni KARLLIQE pa fund. Shqipria bëhet e bukur me njerëz me shpirt të pastër e me njerëz puntor. Jo me hardhucka e vetëm komente me helm. O të shkretët ju. Bravo Edi Rama je Gjigandi Shqipris hec përpara shumica e Shqiptarve të duan. Pakica jan që lefin hum hum hum hani një tum.

    Përgjigju
    • Riku: 27/04/2022 16:17

      Ke te drejte o Kasem turshia... qe ne dizetepesen vec inatin na kane se ki vend vec ka perparuar me njerez te paster fare tamam si ngjyra jeshile e barit te legalizuar... ik ore gjize me turshi qe pritshmerine me te madhe ke dopion e rakise

  • RED: 27/04/2022 14:38

    SHUME SHPEJT KEMI PER TU BERE NJE ME VENDET E EUROPES

    Përgjigju
  • Arber: 27/04/2022 13:24

    Dixhitalizimi eshte sukses po kerkon edhe nepunes te devotshem dhe profesioniste dhe jo xhambazet qe gjithmone gjejne nje arsye per te kthyer mbrapsh shkresa pa lidhje vetem e vetem qe tia gjesh anen ne nje menyre a tjeter qe te mbarosh pune . Pa kontroll dhe monitorim te nepunesve dhe pa ndeshkim te tyre ne te gjitha rastet ku ka abuzim dhe sorollatje , kjo do te rezultoje vetem kosto dhe bumerang .Te shpesojme qe do te funksionoje.

    Përgjigju
  • Arbërori: 27/04/2022 13:19

    Të gjitha të dhënat personale për qdo gjë ”digitale”në këtë mënyrë ështé e pa pranuar për BE-n, sepse nuk ka siguri për popullin! Të dhënat e popullit do shifen gjer në Rusi e Afrik. Qëllim parimor i Ramës ështé zbrazja e Shqipëris nga shqiptarët…dhe kjo ështé një nga metodat qe i perdor

    Përgjigju
  • DERDIMEN KASAP RËXHËP BULE LEKSA [ KEPI ]: 27/04/2022 13:16

    Respekt për Edi Ramën se po të ishte largqoftit kriminel hajduti maloku SALMUT bajga Shqipria do shkonte drejt asimilimit. Sepse ai është spiun i sërbit. RRESPEKT EDI RAMA.

    Përgjigju
  • Goxheliu: 27/04/2022 13:13

    Kur shoh Blendi Gonxhen qe flet per " lehtesira" dhe shmangje te korupsionit te zbehet akoma me shume deshira per te jetuar ne kete vend. Mjafton te shohesh te njejtat fytyra prej 30 vitesh tek patentat dhe targat qe te kuptosh menjehere perse i mbajne ne pune. Sepse paguajne rregullisht " kuoten" tek shefi i tyre, pavaresisht se kujt krahu politik i perket. " Kuota " qe ja zhvasin qytetareve. 200 mije leke bakshish per testin e teorise dhe 100 mije leke per testin e patenes. Bejuni vetingun e pasurise ketyre zyrtarucve dhe kreut te tyre Gonxhe. Eshte nje nga drejtorite qe ka qene dhe mbetet kancer i qeverive. Goxhja e ka cuar ne nje nivel me te larte kete gje ka vendosur kuote mujore. SPAK e ka shume te thjeshte por se lejon tjeter kush te veproje.

    Përgjigju
    • Riku: 27/04/2022 16:22

      Lale kam idene qe kuota po paguhet deri tek njerez jashte kufinjve jo me te ne... eshte demokraci or shok jo shaka sistem ku perhere e me shume njerez me vlera po gjejne hapsira dhe veten...

  • Bledi: 27/04/2022 13:07

    Te Nderuar komentues tani edhe sufllaqet do I merrni online.

    Përgjigju
  • Andi.FR: 27/04/2022 13:05

    Po sikur te kete nje defekt rrjeti, Po nqs Akshi hakerohet perseri, ne qe kemi biznes e kemi te nevojshme komunikimin me specialistet ne sportel.

    Përgjigju
  • ***: 27/04/2022 12:46

    Edhe vete ti, nuk i beson keto peralla me mbret, bashke me Lenkat Cukot qe te ndjekin ty nga pas, qe fatkeqesisht, i kemi me shumice ne ate vend. Ne shqiperi nuk ka drita, dhe uje te pishem, dhe ju flisni per endrra, digitale online. Si thote pastaj, qe punetoret qe punojne neper sportele, nuk do te largohen nga puna, po cfare do te bejne keto neper sportele, apo do numerojne qimet. Per zotin je i "forte", dhe do mbahesh mend gjate, per estraden, qe po drejton.

    Përgjigju
  • Afrimi: 27/04/2022 12:32

    Po shum mir ska ma rradh dhe pritje te gjata dhe kursejm 5 mij lekshat

    Përgjigju
  • Arben: 27/04/2022 12:31

    Shyqyr se ato sportelet per nje pun nuk ishin. Vetem sorollateshe kot per nje certefikate edhe ate kur ti gjeje ne zyra ata se ishin neper kafe

    Përgjigju
  • Fatjola: 27/04/2022 12:31

    Nuk do te na duhet te meremi me sportelet me radhe qe nuk mbaronin per ore te tera.Nuk do te kemi me kontakte me persona qe ndonjehere nuk dinin te benin as punen e vet.Me portalin cdo gje eshte me e thjeshte.

    Përgjigju
  • Sabrie: 27/04/2022 12:30

    eAlbania ka qene nje ndihmese e madhe per te gjithe ne. Qe kur jemi njohur me kete program nuk kemi humbur me kohe ne sportele dhe aq me pak punonjesit e sporteleve nuk na kan munduar me. Cdo gje e kemi bere ne menyre online cdo certifikate qe na eshte dashur e kemi mare ne kohe rekord

    Përgjigju
  • Ermal: 27/04/2022 12:30

    Sa rehat kemi rënë me kete portal qe na ka lehtesuar shume kohe dhe sdo zvarritemi me neper zyra per te marre nje certifikate . Online e nxjerrim direkt dhe kosto nuk ka

    Përgjigju
  • Xhevdet: 27/04/2022 12:29

    E-albania eshte nje platforme shume e mire per te gjithe qytetaret.Ju lumte e keni digjitalizuar Shqiperine,keshtu vazhdonii!

    Përgjigju
  • Fjona: 27/04/2022 12:28

    Sa mire e kan ber per koken time sdo presi më ato rradhet e gjata por i kemi kollaj tek eAlbania

    Përgjigju
  • Ada: 27/04/2022 12:27

    E albania ka qene nje sukses i vertete duke kursyer kohe dhe duke shmangur korrupsionin neper sportele

    Përgjigju
  • Arbërori: 27/04/2022 11:53

    Ky ka luajtur nga truri që nuk e ka, autokrat tipik që ëndërron që veten ta shef ”mbret” ….katastrof natyre ështé ky vips fytyrë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?