Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar datën 13 korrik ora 10:00 për të mbajtur seancën ku do të shqyrtohet kërkesa e ish-Presidentit Ilir Meta për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka mësuar se kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari Erjon Çela, kjo për shkak se javën e kaluar gjyqtari Erjon Bani shpalli moskompetencën.
Seanca e kaluar u shty pikërisht për shkak të kërkesës së avokatit të Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i cili kërkoi që çështja për masën e sigurisë duhet të shqyrtohet nga avokati që e ka ndjekur dosjen në hetimin fillestar, Erjon Çela, dhe jo nga gjyqtari i posaçëm Erjon Bani.
Gjyqtari Çela ishte me pushime javën e kaluar, e për këtë arsye shqyrtimi i kërkesës ju caktua Banit si gjyqtar i gatshëm. Por ky i fundit shpalli moskompetencë.
Ilir Meta kërkon të lirohet nga qelia me argumentin që tashmë nuk ka më rrezik për prishje provash pasi hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Më 4 gusht, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Ish-Presidenti u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.
Komente
