Ekonomi

Më 14 prill hapen aplikimet në Skemën Kombëtare të mbështetjes në bujqësi

9 Prill, 14:46| Përditesimi: 11 Prill, 10:52

  • Share

Thirrja për aplikime në Skemën Kombëtare të mbështetjes në bujqësi për 2025 do të hapet më 14 prill dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 maj.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi bëri të ditur sot se Skema Kombëtare synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendas dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.

Nga kjo skemë mund të përfitojnë fermerët individual, grupimet e fermerëve, të cilët si vitin e shkuar, do të përfitojnë të parë pagesën dhe do të përfitojnë 100% të vlerës së aplikuar, personat fizikë e juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Skema ofron mbështetje përmes 8 masave:
Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve
Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të të imtave
Mbarështim i bletarisë
Mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera
Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike
Mbështetje për ferma organike
Mbështetje për certifikimin Global GAP
Mbështetje për naftë për punimet e mekanizuara në ferma

Aplikimet do të kryhen online, përmes portalit e-Albania, i hapur përgjatë 24 orëve nga data 14 prill, ora 08:00, deri më 30 maj, ora 24:00.

Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, financon për gjedhët deri në 10.000 lekë për lopë ose mëshqerra, 5.000 lekë për viçat, në ferma jo më pak se 10 krerë. Për bagëtitë e imta vijon po e njëjta masë financimi 1200 lekë/krerë; për bletarinë 1000 lekë/koshere; për perimet/luleshtrydhen/rrush tavoline në serra, masa e financimit është 200 000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha).

Këtë vit është rritur një masë financimi për kontrollin biologjik të dëmtuesve, ku 50% e vlerës totale të faturës tatimore do të rimbursohet sërish nga Skema Kombëtare e Mbështetjes.

Bimët aromatike dhe mjekësore vijojnë të jenë në fokus të Skemës Kombëtare me 30.000 lekë/ha (jo më pak se 1 ha), si kriter pranimi.

Fermat organike 100.000 lekë/vit dhe 200.000 lekë për çdo fermë të certifikuar. Certifikimi GLOBAL GAP mbështetet me 50% të vlerës totale të faturës tatimore. Ndërsa nga skema e naftës përfitojnë më shumë se 50 000 fermerë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?