Më 2 dhe 3 tetor, organizohet në Shqipëri Mini Festivali i Indisë! Do çelet ekspozita 'Odisea e Arkitekturës së Indisë'

2 Tetor, 10:07| Përditesimi: 2 Tetor, 17:08

  • Share

Për herë të parë organizohet në Shqipëri "Mini Festivali i Indisë", një ngjarje që do të shfaqë dy aspekte spektakolare të kulturës indiane: kuzhinën e pasur dhe arkitekturën e mrekullueshme të një vendi të lashtë dhe plot tradita. Aktivitetet që do të mbahen në datat 2 dhe 3 Tetor, pritet që të jenë edhe pikënisja e shumë shkëmbimeve dhe investimeve midis vendeve e po ashtu një frymëzim për realizimin e Javës Kulturore Indiane që synohet që të mbahet vitin e ardhshëm në Shqipëri.

Më 3 tetor, Universiteti Politeknik i Tiranës do të presë ekspozitën ''Odisea e Arkitekturës së Indisë''. Kjo ekspozitë, e kuruar nga CP Kukreja Foundation for Design Excellence në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, do të ofrojë një pamje gjithëpërfshirëse të arkitekturës së Indisë dhe evolucionin gjatë pesë dekadave të fundit. Mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universiteti Politeknik i Tiranës, ekspozita do të adresojë edhe sfidat globale si ndryshimet klimatike apo urbanizimi i qëndrueshëm. Gjithashtu kjo ekspozitë do të shfaqë edhe projektet aktuale dhe të ardhshme që synojnë të krijojnë një "Indi të Re" elastike, inovative dhe të qëndrueshme. Pjesë e këtij aktiviteti, pritet që të jetë edhe Kryeministri, Z. Edi Rama, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Blendi Gonxhja, Konsulli i Përgjithshëm i Nderit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht arkitekt dhe urbanist me famë botërore, Dikshu C. Kukreja dhe shumë personalitete të tjera të fushës.

Ekspozita synon të nxisë gjithashtu shkëmbimet e ndryshme midis studenteve të Shqipërisë dhe Indisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?