Më 21 shkurt nis aplikimi për specializimet në Mjekësi! 319 kuota, dekani Draçini për Report Tv: Kusht mesatarja dhe gjuha e huaj

11 Shkurt 2022, 18:41| Përditesimi: 11 Shkurt 2022, 19:04

  • Share

Më  21 shkurt nisin aplikimet për specializimet afatgjatë në fushën e mjekësisë për vitin akademik 2021-2022. Dekani i fakultetit të mjekësisë së përgjithshme Xheladin Draçini thotë se në total janë 319 kuota, ndërsa tregon edhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët.

“Është hapur procesi i specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, 2021-2022. Në total janë 319 kuota dhe  aplikimet nisin nga data 21 Shkurt - 7 Mars.

Xheladin Draçini, dekan i fakultetit të mjekësisë së përgjithshme thotë se nga totali i kuotave të specializantëve 179 janë të lira ndërsa pjesa tjetër do të mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë. Ai shpjegon edhe kriteret e pranimit.

“Kanë të bëjnë me diplomat përkatëse, përfundimin e studimeve universitare dhe licencën profesionale. Duhet kaluar niveli i anglishtes  c1, të cilën kandidatët duhet ta plotësojnë brenda vitit të parë. Pra kandidatët pranohen edhe me nivelin B2. Më i privilegjuari i këtij procesi është kandidati që del i pari. I pari ka të drejtë të zgjedhë nga lista me 316 aplikime”,  shprehet Draçini.

Testimi i kandidatëve pritet të zhvillohet në ditët e para të muajit prill.

“Përcaktohet dita e provimit, modalitetit dhe testimi bëhet në Qendrën Shtetërore Arsimore me një përgjigje që është e menjëhershme”, thotë dekani.

Do të jetë Komisioni i vlerësimit i përbërë nga ekspertë të Qendrës së Shërbimeve Arsimore që do të përgatisë listën e kandidatëve fitues duke llogaritur rezultatet e mbledhura te testimit të informatizuar dhe mesataren e duke i renditur ata sipas pikëve në rend zbritës. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që ndjekin programet specializuese në mjekësi është e njëjtë me një vit më parë, 115 000 leke.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?