Ilir Yzeiraj, 46-vjeçari me vështirësi në të folur dhe sfida të shumta shëndetësore, nuk ka ndalur kurrë së ndjekuri ëndrrën e tij më të madhe: aktrimin.
“E kam pasion filmin”, na thotë ai.
Iliri u shfaq për herë të parë në filmin e shkurtër “Dori”, një rol që i dha jo vetëm përvojën e parë në skenë, por edhe vlerësimin maksimal: çmimin për aktorin më të mirë në “Tirana International Festival”. Roli, siç thotë vetë Iliri, ishte si një autobiografi, një njeri me vullnet, pasion dhe shpirt të ndjeshëm, që kërkon të tregojë se aftësitë e veçanta janë vetëm një tjetër formë force. Për ta marrë rolin iu desh përpjekje e gjatë dhe insistim, duke këmbëngulur te regjisori dhe producenti.
“Gjatë xhirimeve ja kam kaluar shumë mirë, me pëlqeu shumë”
Por, pas dritave të kamerës, jeta e Ilirit nuk është aq e ndriçuar. Afro një vit pas publikimit të filmit, ai po përballet me një tjetër sfidë: papunësinë. Iliri jeton me prindërit dhe mbijeton me kempin për shkak të paaftësisë, që thotë se nuk i mbulon as nevojat më bazike.
"Të ardhurat e mia janë një pension me 150 mijw lekw tw vjetra. A janë të mjaftueshme? Jo nuk janë tw mjaftueshme për shkak se jam pa pune nuk dalin. Kam punuar mw parw 9 muaj te arkiva por mbaroi kontrata. Për momentin jam pa punë. Kam kërkuar kam aplikuar. Por është pak vështirw. Familja na mbështet me aq sa kam mundësi", thotë i qetë pwr Report Tv Ilir Yzeiraj.
Fëmijëria e Ilirit ka qenë e mbushur me sfida shëndetësore, ai ka qëndruar më shumë nëpër spitale sesa banka shkolle. Ka kryer operime në zemër, duar e këmbë.
“Fëmijëria ime ka qene pak e vështirë por ja kemi dal, me ato problemet e mia. Janë të panumërta por me mbi 20 ndërhyrje i jam nënshtruar”
Pavarësisht vështirësive, Iliri nuk është ndalur. Ka përfunduar studimet për Histori-Gjeografi dhe aktualisht po ndjek një kurs 6-mujor për guida turistike, me dëshirën për të ndihmuar vizitorët të njihen me bukuritë e Vendit.
“Tani po bej një kurs 6-mujorsh, merrem me guida me të huaj”.
Por sfida më e përditshme mbetet ajo me paragjykimet. Një betejë e heshtur, por që Iliri e përballon me buzëqeshje.
“Jam mësuar me këto paragjykime. Me ngel pak qejfi por e kaloj. E marr me sportivitet.”
E kur e pyet për objektivat e së ardhmes përgjigjen e ka të qartë.
“I martuar me një punë duke jetuar një jetë normale.”
Pavarësisht problemeve, Iliri apelin për të gjithë shoqërinë që e rrethon e ka të thjeshtë, vetëm t’i krijojë mundësi dhe shanse, ndërsa ëndrra vijon të jetë pse jo një tjetër rol në kinematografi.
Komente
