Të shtunën në orën 13:00 Kukësi do prezantojë stafin e ri drejtues, që nis nga administrori dhe deri tek trajneri e zëvendës trajneri. Një ndryshim radikal te skuadra verilindore, që pas 12 vitesh nuk do administrohet më nga familja Gjici, por një biznesmen tjetër që Report TV e zbuloi një ditë më parë dhe quhet Atilio Guranjaku.
Ndryshe nga 12 vitet e fundit Kukësi sezonin e ri do luajë në Kategorinë e Parë dhe qëllimi është rikthimi në Superligë. Për këtë arsye drejtuesit e rinj pritet ti besojnë postin e trajnerit Ilir Spahiut, një emri të mirënjohur në futbollin shqiptar, por që nuk drejton një skuadër prej 14 vitesh. I fundit Bylisi në 2010. Sakaq ndihmësi i Spahiut pritet të jetë Sebino Plaku, ish-sulmuesi i shumë skuadrave në Superligë, por që së fundmi mbante postin e zëvendës trajnerit te Partizani kur drejtohet nga Orges Shehi.
Familja Gjici gjithsesi nuk ka hequr dorë përfundimisht nga klubi i Kukësit, pasi pronësisë së re i ka vendosur kusht të mos i shesë aksionet. Synimi është që pas mbarimit të dënimit, Safet Gjici të rikthehet në krye të verilindorëve, me të cilët fitoi 4 trofe për 12 vite.