Nga viti në vit është rritur numri i personave që shfaqin probleme me alergjitë. Aktualisht jemi në sezonin zyrtar kur alergjitë shtohen pr shkak të polenëve të luleve, por jo vetëm.
“Faktikisht ka filluar sezoni i poleneve që i quajmë ne i këtyre sëmundjeve alergjike të stinës. Është sezoni i hershëm polemik, i cili fillon me alergjitë e pemëve në përgjithësi që i themi ne në gjuhën e popullit. Kanë filluar të shtohen rastet me të tilla shqetësime, të cilat do të pasohen më pas edhe më shumë me polenet e këtyre barishtëve”.- thotë Mirela Hitaj, mjekje alergologe.
Mjekët alergologë thonë se kohët e fundit është vënë re rritje e numrit të pacientëve që shfaqin alergji nga ndotja e ajrit, gazi i makinave, apo që shkaktohen nga përdorimi i kimikateve siç janë detergjentët.
“Janë shtuar rastet nga viti në vit me probleme alergjike, kjo për shkak të shumë faktorëve; përveç shkaktarëve specifik është ndotja e ambientit, ndotja e ajrit nga gazi i makinave, përdorimi i kimikateve të ndryshme që përdoren me shumicë, (detergjentët) nga mënyra e të ushqyerit”.- tha mjekja.
Sipas mjekëve specialist alergjitë nuk njohin moshë, por më të ekspozuar janë fëmijët dhe të rinjtë.
“Alergjitë prekin të gjitha moshat, por të rinjtë dhe fëmijët këto kohët e fundit janë ekspozuar më shumë,”- u shpreh mjekja.
Qytetarët tregojnë për Report TV disa nga simptomat që u shfaqen dhe i nxisin të drejtohen tek mjeku alergolog.
“Kisha kollë, teshtimë ndaj shkova te mjeku dhe jam alergjike, marr ilaçe”- thotë një qytetar.
“Kisha kruajtje dhe irritim të lëkurës, kam shumë vite që vuaj nga alergjia, që kur isha fëmijë”, tha një tjetër.
Mjekët bëjnë apel qytetarëve për të mos neglizhuar simptomat, nëqoftëse kanë kollë, apo bllokim të hundëve, skuqje dhe lotim të syve, kruajtje të qiellzave për 4 deri në 5 ditë radhazi. Neglizhimi i simptomave thonë mjekët mund të kalojë në asëm alergjike, një nga sëmundjet më të rënda të alergjive.