Nuk ndodh kudo të shohësh aq shumë salla teatri në një qytet se sa në Milano siç është Teatri Strehler, ose Il Piccolo siç e quajnë milanezët, pastaj Grassi, teatri Manzoni, Dal Verme, pastaj Sala Fontana, Arcimboldi, e të tjerë e të tjerë shumë më të vegjël, që papritur shfaqen krah një kishe, poshtë një pallati, anash një rrugice. Kuptohet mirë se pse në Milano ka lindur La Scala dhe përse ky qytet, portë hyrëse e Europës në Mesdheun e ngrohtë e pasionant, është një nga qendrat e kulturës botërore, nxitëse dhe mbështetëse talentesh, “fanatike” e ruajtjes së vlerave të thella të spektaklit të bukur e të artit të interpretimit.
Në Teartin Strehler, në zemër të kryevendit lombard që prej 1947, vihet në skenë premiera e nxënësve dhe studentëve të Akademisë së teatrit La Scala. Kanë zgjedhur “Arrëthyesin”; kjo kryevepër e paperëndueshme e Çajkovskit, sjell magjinë e duhur në prag të Krishtlindjes dhe sidomos, pas sallave të mbyllura prej muaj e muaj pandemie.
Hyrja në këtë tempull të interpretimit dhe debatit intelektual, ku themeluesit e tij Paolo Grassi dhe Giorgio Strehler, nuk e krijuan vetëm si skenë spektaklesh, por edhe shkollë dhe nxitje të mendimeve provokuese dhe të përparuara, bëhet sipas rregullave që dikton pandemia: green pass, maskë (madje e dyfishtë), matje temperature. Lumi i spektatorëve ecën drejt sallës ngadalë, i lehtë, pa zhurmë e pengesa. Secili është gati në kohë të tregojë çfarë kërkohet, duke e bërë të rrjedhshëm sistemimin nëpër poltrona. Janë bashkë familje: gjyshër, prindër, fëmijë, të rinj. Afër kam një baba rreth të 60-ave me vajzën e tij studente. “Arrëthyesi” nis në kohë: 19.30. Nuk pipëtin asgjë, nuk ka asnjë celular që të shqetësojë me drita, foto, apo zile. As më të vegjlit nuk ankohen. Në sallë duket që merr frymë në të njëjtën kohë një masë e madhe qytetarësh e edukuar me: ART.
Nxënësit dhe studentët e Akademisë së La Scalës janë si një fllad i freskët në skenë. Koreografia e Frederic Olivierit është plot ritëm, duke i dhënë rëndësi skenave më të gëzueshme dhe më të bukura që nuk “mërzisin” me klasiken, as më të vegjlit dhe as më të moshuarit. Skenografia dhe kostumet janë të denjë të veshjeve të ëndrrave më të bukura që mund të na kalojnë nëpër mendje. Artëdashësit e Milanos, në këtë periudhë të vitit kanë mundësinë të shohin se cila është e ardhmja e La Scala-s e cilët janë talentet që do të frymëzojnë për të ardhmen e do të mbajnë gjallë shpiritn artistik të qytetit që mbush sallat për të parë të bukurën
Duartrokitjet janë të forta; spektatorët panë një spektakël të magjishëm, me një çmim të ndershëm. Ashtu si edhe në La Scala, edhe të gjitha sallat e tjera kanë bileta për të gjitha moshat dhe xhepat në Itali, nga 10, 15, 30 euro, deri në 3000 euro që shkoi çmimi për të parë me 7 dhjetor premierën e “Makbethit” në hapjen e sezonit 2021-2022.
Milano ka punuar dhe punon kaq shumë për të afruar e për të mbajtur me dashuri të vegjël, të rinj, të rritur e të moshuar afër Artit të skenës. Duket një dashuri dhe respekt reciprok që këmbehet prej dekadash, tashmë shekujsh: spektatorët nuk zhgënjehen për cilësitë e shfaqjeve, artistët, kanë sallat plot me të gjitha moshat dhe sidomos, me gjithëpërfshirjen.