Me aureolë e të pagëzuar si shenjtorë, të vobektët në Galeri përmes 20 tablove, Gazmend Leka i kundërvihet shpërfilljes së mjerimit

30 Nëntor 2022, 15:19| Përditesimi: 30 Nëntor 2022, 15:31

  • Share

“Unë doja të prekja njeriun, besimtarin, i cili hynte në kish, bënte kryqin para Shën Marisë, ndërkohë që te dera ishte një “Marie” që po lypte dhe ai kalonte me indiferentizëm...”

Nënë Maria, e quan Gazmend Leka, gruan e mbledhur strumbullar, në ngjyrat e zymta të varfërisë ekstreme... Qëndron në qendër të Galerisë “Fab” duke tronditur vizitorët...

“Kam trajtuar temën e njerëzve që janë të përjashtuar nga shoqëria, nga indiferentizmi i shoqërisë, por e them për herë të parë, që ne vërtetë shohim pjesën e jashtme, shohim dukjen, fizikun, por po të vëresh rrotull, ne kemi shumë njerëz që janë të vobektë në shpirt dhe kjo është gjëja më e madhe që ka ndodhur këtu...”, shprehet piktori Gazmend Leka.

Artisti tenton t’i kundërvihet kësaj shpërfillje, të jetëve që enden me barrën e varfërisë, rrugicave, lagjeve të vendit a në periferi. Mjerimi nuk ka gjeografi thotë ai, ndërsa mendon t’u drejtohet personazheve me “i dashur vëlla”, mesazhi shkon për ata që mund të bëjnë një kthesë në jetën e tyre.... ndaj e titullon ekspozitën “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, si romani i Arçibald Kronit, që pati lexuar në rini të tij...

“Të imagjinosh yjet të cilët janë engjëj, se kështu flasin njerëzit, që janë shpirtrat e njerëzve të familjeve tona, që rrinë e na mbrojnë. Këta nuk rrinë e na mbrojnë janë indiferentë ndaj zullumeve tona... që ne bëjmë në tokë”, thotë artisti.

Ngjashëm si nënë Maria, vijnë edhe të vobektët e tjerë të shenjtëruar si Johani apo Pavli, por secili me një histori më vete...Personazhet e 20 tablove kanë përmasa reale, ndërsa emrat me të cilët artisti i shenjtëron, aureola e fryma piktoreske është hyjnore....

“Këta janë njerëz që nuk kanë hyrë kurrë në ekspozitë në jetën e tyre, nuk kanë shkuar kurrë në teatër, nuk kanë shkuar kurrë në kinema. Dhe mendova unë këtyre do t’u bëj një monument, do t’u bëj një altar... dhe thashë t’i shenjtëroj edhe pse janë të veshur me lecka  të përhimëta, që u bëjnë shoqëri vetëm pëllumbat”, shprehet më tej.

Tablotë i ndërton si skena teatrale, e ndërsa disa nga protagonistët i ka të njohur, të tjerë janë inspirime përmes imazheve që i kanë lënë më shumë mbresa. Vetë vendoset në qendër, në rolin e piktorit, vëzhguesit të asaj çka ngjet përreth në vorbullën e mjerimit, ndërsa tek sheh vizitorët e prekur, shpreson që piktura të jetë kësaj here lajmëtare e humanizmit të munguar.

 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?