Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ofendimeve që Ilir Vrenozi lëshoi kundrejt tij teksa mori pjesë në një takim elektoral të PD në Korçë. Nëpërmjet një videoje në rrjete sociale, kreu i qeverisë ironizon Vrenozin duke thënë se është ‘bosi’ i ri i PD në Korçë dhe se nuk do të habitej fare nëse ai do t’i zinte vendin Sali Berishës.
‘Dje Vrenozi e mori në dorë drejtimin real nga Korça ku për të më goditur mua, rivalin e tij të drejtpërdrejtë, nesër dhe rang kombëtar, lëshoi nga goja programin real të asaj partie dhe ngriti peshë turmën fanatike siç kishim kohë pa parë.”, thekson Rama.
Kreu i qeverisë shton se edhe konsulenti amerikan i Berishës, Chris LaCivita e kuptoi se demokrati nga Korça ishte ai që mund të ngrinte turmën me brohorima me fjalimin e tij, gjë që më parë sipas tij, e bënte Berisha. Në fund ai e mbyll me ironinë se Vrenozi do ta bëjë Korçën madhështore dhe se aleanca Vrenoz-LaCivita duhet marrë seriozisht.
“Dje e morën vesh besoj të gjithë pse Latifi i Trump u takua ca ditë më parë më Vrenozin e Korçës. Sot besoj se askush nuk ka më çfarë thotë as për arsyen e kërkesës sime për kafe me të. Qëkur e pashë takimin e Vrenoz me Tifen, më dogji, e kapa që Latifi kishte kuptuar atë që unë e kisha kuptuar kohë më parë. Bufi nuk tërheq më. Ilir Vrenozi është i vetmi që mund ta udhëheqë kënetën pa u bërë qesharak në premtime që po gajasin dynjanë dhe as për gjynah në ato rrjedhjet e shpeshta në fjalimet e tij.
Dje Vrenozi e mori në dorë drejtimin real nga Korça ku për të më goditur mua, rivalin e tij të drejtpërdrejtë nesër dhe rang kombëtar, lëshoi nga goja programin real të asaj partie dhe ngriti peshë turmën fanatike siç kishim kohë pa parë. Njësoj si në kohën kur bufi i printe me histeri, ajo turmë deri mbrëmë ishte ujë i ndenjur me zhurmë bretkosash. Ky zhvillim i ri dhe i fuqishëm në frontin e kënetës, e bën më të qartë zgjedhjen e 11 majit, duke nisur nga Korça, ku Vrenozi hyri në garë si një hipopotam në një dyqan qelqurinash dhe u ofroi korçarëve modelin shembullor, shumë të sinqertë të kënetës madhështore.
Demokratët e Korçës do ta vendosin vetë se ç’duhet të ndodhë më që ata të bëjnë atë që duhet në votën e 11 majit kur duhet të zgjedhin për BE apo kënetën… Ama bluza e Vrenozit dje e kishte mesazhin qartësisht madhështor. Mbi të shkruhej ç’ka i thoshte të gjitha… bos! Ai është sot defakto ‘the boss’. Bosi i atyre që nuk do ikin nga këneta deri sa ta shohin Vrenozin edhe de jure në krye fillimisht në Korçë dhe më pas edhe në fronin e bufit plak në Tiranë. Korçë o Korçë të lanë Vrenozin të të bëjë madhështore. Shih e bëj Korçë, Pogradec, Devoll, Maliq, Kolonjë e Pustec por vetëm me shaka mos e merr aleancën e Vrenozit të Korçës me Latifin e Trump”, tha Rama.
Komente
