DURRËS- Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit për shpërndarje të drograve të forta, në doza të vogla.
Blutë e Durrësit kanë prangosur Fabio Karabojën, pasi gjatë një kontrolli në lagjen nr.5, Durrës, në automjeti tip "Benz", në çantën e dorës, iu gjetën 37 doza me lëndë narkotike heroinë, si dhe 26 doza me lëndë narkotike kokainë.
Po ashtu në çantë ju gjet dhe një sasi vlere monetare prej 143.000 lekë të reja, të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin tip "Benz", me të cilën ky shtetas po lëvizte.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin Fabio Karaboja, 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Prodhim dhe shitje narkotikësh".
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.