Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez është shprehur se mund të jap dorëheqjen pasi gruaja e tij akuzohet për korrupsion.
Një hetim gjyqësor u nis të mërkurën pas akuzave nga një platformë e krahut të djathtë se bashkëshortja e kryeministrit përdori pozicionin e saj për të ndikuar në marrëveshjet e biznesit. Lideri socialist i ka mohuar akuzat.
Në një reagim të postuar në rrjetin social X, Sánchez u shpreh se po anulon axhendën e tij publike deri të hënën kur do të njoftojë nëse do të vazhdojë apo do të largohet.
“Më duhet të ndalem dhe të reflektoj, Më duhet t’i përgjigjem pyetjes nëse ia vlen të vazhdoj, duke pasur parasysh gropën e baltës që e djathta ekstreme kanë nxjerrë në politikën sonë, nëse duhet të vazhdoj në krye të qeverisë apo të heq dorë”, shkroi Sanchez.
52-vjeçari është kryeministër i Spanjës që nga viti 2018. Ai ishte në gjendje të formonte një qeveri të re të koalicionit të majtë në nëntor për të filluar një mandat tjetër katërvjeçar. Ai është një nga udhëheqësit socialistë më jetëgjatë në Evropë.