Sport

'Më erdhi surprizë', Arapi prezantohet si trajner i Teutës: Më ngjan si sezoni i kaluar, mund të fitojmë titullin

29 Nëntor 2021, 14:56| Përditesimi: 29 Nëntor 2021, 18:20

  • Share

Renato Arapi është prezantuar sot zyrtarisht si trajner i ri i ekipit te Teutës. Ish-kapiteni i skuadrës në sezonin e kaluar, i cili mbante pozicionin e drejtorit teknik, mori vendin e Edi Martinit, i larguar pas humbjes me Partizanin dhe disa rezultateve jo pozitive radhazi.

“Erdhi pak surprizë sepse nuk e kisha menduar këtë gjë, por sigurisht që është privilegj dhe përgjegjësi, duke ditur që ekipi vjen nga një titull kampion i fituar,”-shprehet Arapi, trajner i Teutës.

Edhe pse i ri në profesion Renato Arapi sheh një ngjashmëri të këtij sezoni me atë të kaluarin kur Teuta u shpall kampion.

“Duke marrë shkas edhe nga kampionati i vjetshëm kur në këtë moment kishte 11 pikë diferencë dhe më pas arritëm ta fitonim titullin. Normalisht që është e vështirë, por me kontigjentin që kemi besoj se do bëjmë diçka të mirë sepse ky ekip që nga fillimi është ndërtuar për vendet e para,”-deklaron Arapi, trajner i Teutës.

Arapi thotë se me trajnerin Edi Martini ka marrdhënie të shkëlqyera pavarësisht largimit të këtij të fundit.

“Fjalët më të mira shkojnë për të sepse është trajneri më i sukseshëm te ekipi i Teutës dhe këtë e vërtetojnë trofetë e fituar. Unë i uroj me gjithë shpirt suksese në vazhdim,”-thotë Arapi, trajner i Teutës.

Aktualisht Teuta renditet në vendin e katërt me 13 pikë, 8 më pak se Tirana kryesuese, ndërsa ndeshja e ardhshme është kundër Vllaznisë.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?