Me fjongon simbolike, ambasadorja Yuri Kim ka bërë bashkë deputetet e PS dhe PD në marshimin sensibilizues dedikuar tetorit rozë, muajit të ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Me broshura nëpër duar dhe tullumbace, vajza dhe gra kanë “pushtuar” pasditen e djeshme rrugët e kryeqytetit për të shpërndarë informacion dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët për rëndësinë e shëndetit të gjirit.
Të pranishëm gjatë marshimit ishin edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu, ministrja e Arsimit Evis Kushi, ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi, deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, deputetet e PD, Jorida Tabaku dhe Grida Duma, të gjitha në mbështetje të sensibilizimit të vajzave dhe grave për të “luftuar” në kohë kancerin e gjirit.
“Fjongo rozë” është një simbol ndërkombëtar i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.