Policia e Shtetit thotë se po vijon të kontrollojë territorin e vendit në çdo cep për kultivim të lëndëve narkotike me anë të helikopterit dhe 32 dronëve, të cilët çdo ditë kryejnë misionin e tyre në zona të vështira ku është e pamundur shkelja dhe kontrolli nga ana e punonjësve të efektivëve.
Jo vetëm kaq, por në terren janë 123 grupe kontrolli, që gjithashtu vijojnë kontrollet e pandërprera.
Deri më tani nga kontrollet me helikopter dhe dronë janë evidentuar tentativa për kultivim në numër të vogël të bimëve që varionin nga 5 deri në 15 fidanë dhe në zona shumë të thepisura, malore dhe të pyllëzuara.
Këto raste janë goditur dhe autorët janë dërguar para autoriteteve, pasi janë evidentuar nga dronët duke shkuar në vendet ku tentonin të kultivonin bimët narkotike dhe janë kapur në flagrancë nga ana e efektivëve.