Dy histori njerëzore u ndanë në studion e emisionit ‘Esencë’ në Report Tv. Lindita dhe Ritvana dy zonja protagoniste të filmit "Fluturat" të regjisorit Bujar Alimani rrëfyen jetën e tyre në Kampet e Internimit. Lindita Ndreu i kaloi 30 vitet e para të jetës në kampet e internimit.
"Fëmijët në Kampin e Gradishtës bënin punë të ndryshme, ne punonim për të ndihmuar familjen me aq sa mundeshim. Nuk e kuptonim që ajo ishte punë, si fëmijë të vegjël i konsideronim edhe lojë ditët e punës", rrëfen ajo në ‘Esencë’ me gazetaren Anila Çela.
Ndërsa Ritvana Mena, rrëfen kalvarin e gjatë të familjes së saj. Krenarinë dhe dhimbjen e familjarëve ndër vite.
"Ne trashëgojmë fizikisht dhe psikologjikisht nga të parët tanë. Unë kam lindur e rritur në Gradishtë bashkë me dy fëmijë të tjerë të familjes sime. Nuk e kuptoja në atë kohë përse ne ishim ndryshe nga të tjerët. Jeta nuk ishte e lehtë, na duheshin orë të tëra të kalonim një kanal uji të përmbytur nga shirat për të mbërritur në shkollë" thotë Ritvana mes emocionesh.
Në bisedë bashkohet në një lidhje skype Spiro Toni, ish mësues në shkollën e Gradishtës ku mësonin edhe fëmijët e familjeve të internuara.
"Nuk ishte e lehtë të bëje mësuesin në ato kushte. Kujtoj se si me ndaluan ti jepja Flete Lavdërimi fëmijëve të familjeve "armike" por nuk pranova”, pohon Toni.
Emisioni kishte rezervuar edhe dy surpriza nga familjarët e Linditës e Ritvanës, çaste lumturie që u shoqëruan me lot gëzimi. Momente të dhimbshme, fotografi të rralla dhe ekskluzive, kujtime të vështira për ti sjellë në jetë erdhën sot në ‘Esencë’ bashkë me mesazhin se jeta shpesh na rezervon të papritura por forca për tu ngritur sërish është ajo që i jep vlerë edhe kujtimeve më të thella.