Kronikë

Inskenoi rrëmbimin për t’i marrë para babait, arrestohet 28-vjeçari në Kavajë! Në pranga edhe bashkëpunëtori

13 Korrik, 11:00| Përditesimi: 13 Korrik, 12:54

  • Share

KAVAJË- Një burrë në Kavajë u kontaktua nga i biri, i cili i tha se e kishin rrëmbyer, dhe në këmbim të lirisë së tij, duhet të sillte një shumë eurosh me shpejtësi. Prindi i tronditur u lidh me policinë duke kërkuar ndihmë për lirimin e të birit, i cili ishte zhdukur dy ditë më parë.

Blutë e Kavajës këshilluan babain që të ndiqte udhëzimet e rrëmbyesit dhe të linte një takim me të për të dorëzuar paratë e kërkuara, e për t’i kthyer të birin 28 vjeç. Siç kishte kërkuar rrëmbyesi, shkëmbimi do të bëhej në Durrës.

45 vjeçari u paraqit në vendin e caktuar që të merrte paratë, nuk e dinte se i gjithë operacioni po ndiqej nga policia. Forcat e rendit ndërhynë menjëherë duke arrestuar Bernard Kiptiun, por ajo që ndodhi më pas, ishte befasuese.

Më e rëndë se për këdo, për babain e të rrëmbyerit. 100 metra më tutje, nga takimi i babait me personin që do të merrte paratë, policia gjeti vetë 28 vjeçarin, i cili nuk ishte i rrëmbyer, por siç thotë policia, një inskenues.

Ai mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e vet për të përfituar para, ndaj si Lubjan Camema ashtu edhe  bashkëpunëtori i tij, i cili do të merrte shumën e kërkuar, u arrestuan. Veç kësaj, policia dyshon se djali që mashtroi të atin, dy ditë më parë i kishte marrë babait edhe automatin dhe e ka shitur.

"Mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e vet për të përfituar para, vihet në pranga 28-vjeçari. Arrestohet edhe bashkëpunëtori i tij, i cili do të merrte shumën e kërkuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi L. C. kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh. Shtetasi B. K. u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, duke i kërkuar shtetasit B. C. shumën e parave, me pretendimin se do të shërbenin për lirimin e djalit të tij. Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën edhe 28-vjeçarin, i cili u arrestua në flagrancë, pasi rezultoi se kishte inskenuar ngjarjen dhe dy ditë më parë i kishte marrë automjetin babait të tij, dhe dyshohet se e ka shitur", njoftoi Policia. 

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, për veprime të mëtejshme.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?