Çmimet e apartamenteve janë rritur por janë rritur dhe kërkesat për të marrë kredi në banka, ndërkohë që këta të fundit kanë forcuar kushtet dhe kriteret për dhënien e kredisë. Sipas të dhënave aktuale, vetëm në dy muajit e parë të këtij viti, qytetarët kanë marrë 7.4 miliardë lekë kredi pranë bankave, me qëllim ‘blerje banese’. Në raport me janar-shkurt të vitit të kaluar, kredia për shtëpi u rrit me 365 milionë lekë.
Po a do të vijojë të ketë rritje të çmimeve të apartamenteve?
Ervin Dimirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme I ftuar në studion e emisionit ‘Përballje’ në Report Tv tregon se trendi rritës i çmimeve do të vijojë me të njëjtin kurbë si vitin e kaluar, ndërsa bankat thotë ‘nuk po i përgjigjen tregut’ duke krijuar probleme me vlerësimin e pronave.
“Klientët po hasin shumë probleme për të marrë kredi, pasi banka ka prirjen për ta vlerësuar realisht më poshtë sesa tregu dhe klientët e kanë të pamundur për të marrë kredi për një apartament‘
Pse bankat kanë forcuar kriteret për kredi
Romina Radonshiq eksperte ekonomie tregon se kjo ndodh pasi banka do garanci me qëllim që të mos kthehet në kredi të keqe.
“Duke qenë në kushtet kur niveli i varfërisë është rritur, ndërsa pagat nuk kanë ndryshuar thelbësisht me koston e jetesës. Banka do të jetë e sigurtë ka qëllim që të rrisë fitimin dhe të jetë sa më e sigurtë” tregon Radonshiq.
Ekspertët paralajmërojnë se trendi i rritjes së çmimeve do të vijojë, madje s’do të ketë ulje për disa vite.
“Investimi në prona është investim i zgjuar. Nëse ti blen sot sigurisht që do e shesësh më shtrenjt. Ndërkohë një tjetër arsye e rritjes së çmimeve janë dhe interesi i të huajve për të blerë pronë në Shqipëri apo emigrantët që duan të investojnë dhe të kenë një pronë në Shqipëri. Me kërkesat që kemi në treg trendi rritës do të jetë edhe për disa vite. Do të ketë kërkesa gjithmonë” thotë Dimirxhiu.
Edhe Romina Radonshiq është e të njëjtit mendim
“Nuk do të ketë ulje të çmimeve të apartamenteve. Aq më tepër që kostoja sot e ndërtimit është më e lartë. Taksa e infrastrukturës është rritur. Prandaj për ndërtimet së fundmi do të ketë çmime të larta. Po kështu apartamentet po përdoren si mënyra për të bërë biznes. Kërkesa nuk është vetëm nga çiftet e reja, por individë që vijnë nga jashtë, investitorë të huaj, emigrantë dhe këta e rrisin më shumë kërkesën sesa qytetarët këtu.
Veç shqiptarëve kush po blen prona në Shqipëri?
“Italianë, ukrainasit. Ukrainasit pas luftës që erdhën për hall u pëlqeu dhe po rrijnë këtu. Preferojnë Tiranën dhe bregdetin. Por ka dhe nga Gjermania, Belgjika, Polonia. Këto preferojnë bregdetin” tregon Dimirxhiu.
Sociologu Gëzim Tushe vë theksin tek politikat sociale që duhet të aplikohen nga pushteti vendor dhe qëndror me qëllim që të nxisin rininë shqiptare për një jetë më të mirë ekonomiko sociale.
“Nuk mund të mbetet vetem koncepti tregu vendos gjithçka pasi kjo krijon problemin e pasoja sociale. Nuk është e vërtetë që njerëzit nuk duan të martohen por nëse u mungojnë kushtet materiale”
Më mirë të jetosh me qira apo të marrësh kredi?
Edhe pse çmimet janë të larta, sërish ekspertët të sugjerojnë marrjen e një kredie. Të paktën pas tre viteve qira, është para e shkuar dëm nëse do vijosh.
"Sot në krahasim me 2019 – 2020 është 40% më shumë kosto e kredisë” thotë Radonshiq, megjithatë mes zgjedhjes për të marrë kredi apo për të qëndruar me qira, sugjeron të parën.
“Më mirë të paguash këstet e kredisë edhe pse zgjat në kohë sesa të rrish në qira gjithë jetën është kosto” thotë ajo.