Hakan Calhanoglu

Sport

'Më lini të shkoj në shtëpi', Calhanoglu kërkon largimin nga Interi, synon kalimin te Galatasaray

30 Qershor, 15:38| Përditesimi: 30 Qershor, 15:41

  • Share

E ardhmja e Hakan Calhanoglu te Interi është vënë seriozisht në pikëpyetje, pas raportimeve nga Turqia që pretendojnë se mesfushori ka kërkuar zyrtarisht largimin nga klubi zikaltër për t’u rikthyer në vendlindje, te Galatasaray.

Sipas burimeve të 'Sabahspor', Calhanoglu i ka bërë një kërkesë të drejtpërdrejtë drejtuesve të Interit.

“Erdha te ky klub si lojtar i lirë katër vite më parë dhe gjithmonë kam dhënë maksimumin tim. Dua ta vazhdoj karrierën time te Galatasaray dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj. Më lejoni të kthehem në shtëpi”, besohet se u ka thënë Hakan drejtuesve zikaltër.

Kërkesa e tij ka shtuar spekulimet për një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere, megjithëse 'Football Italia' kishte raportuar më herët se Interi nuk është i gatshëm të lejojë largimin e 31-vjeçarit për një çmim të ulët, duke pasur parasysh se ai ka kontratë të vlefshme deri në qershor 2027.

Zikaltërit kanë filluar të lëvizin për të përforcuar mesfushën, duke zyrtarizuar transferimin e Petar Sucic, si dhe duke dashur Nicolo Rovella e Lazios, megjithatë klubi kryeqytetas nuk pranon të negociojë për më pak se 50 milionë euro, sa është edhe klauzola e lojtarit.

Një sinjal tjetër për dëshirën e Calhanoglu për t’u larguar erdhi në mënyrë të pazakontë nga berberi i tij, i cili postoi një foto me lojtarin në rrjete sociale, shoqëruar me mbishkrimin: “A është duke ndodhur?”

Aktualisht Calhanoglu është i dëmtuar dhe nuk ka marrë pjesë në ndeshjet e Kupës së Botës për Klube, çka ka ngritur më shumë pikëpyetje rreth rolit të tij në planet e trajnerit për sezonin e ardhshëm.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?