Një shtetas shqiptar 47-vjeçar është dënuar me 14 muaj burgim në Mbretërinë e Bashkuar pasi u kap nga autoritetet brenda një banese të përdorur për kultivimin e kanabisit. Ai kishte pranuar fajësinë për përfshirjen në aktivitetin e paligjshëm, ndërsa vlera e drogës së sekuestruar llogaritej në afro 900 mijë paundë.
Autoritetet britanike kishin nisur hetimet pas dyshimeve që lindën nga gjendja e jashtme e banesës dritaret ishin të mbyllura me dërrasa dhe nuk po paguhej qiraja. Kur policia hyri në objekt, gjeti brenda shtetasin Adriatik Abazi, i cili ndodhej vetëm.
Sipas dëshmisë së tij, Abazi kishte mbërritur në Britani për të vizituar një mik, por gjatë një vizite në një lokal në Londër, ishte afruar me disa bashkëkombës. Ai tregoi se pas konsumimit të alkoolit dhe një bisede të shkurtër, i ishte bërë një ofertë për të punuar në një vend të panjohur, me detyrën për të ujitur bimë.
Më pas, sipas rrëfimit të tij në gjykatë, ai ishte marrë në një shtëpi të braktisur ku iu dha një telefon dhe udhëzime për kujdesin ndaj bimëve të kanabisit. Abazi pretendoi se ishte kërcënuar për të qëndruar aty dhe se iu morën dokumentet italiane, të cilat nuk do t’i ktheheshin nëse ai refuzonte të bashkëpunonte, raportojnë mediat britanike.
Megjithatë, gjykata vuri në dukje se i pandehuri kishte kaluar ditë të tëra i vetëm dhe kishte pasur mundësi për të kërkuar ndihmë, gjë që nuk e kishte bërë. Sipas burimeve mediatike, ai kishte qëndruar i izoluar për rreth 11 ditë përpara se të ndërhynte policia.
Avokati mbrojtës deklaroi se klienti i tij nuk e konsideron veten viktimë të trafikimit, por një individ që u mashtrua dhe përfitohej nga situata e tij e brishtë. Gjykata vendosi që, pavarësisht rrethanave, përgjegjësia e tij në veprën penale nuk mund të mohohej dhe dha vendimin për dënim me burg për një periudhë 14-mujore.
Komente
