Gjithnjë e më shumë të lidhur, përmes internetit, e si pasojë më të izoluar nga bota reale, shoqëria… Në epokën e vrapit teknologjik, më të riskuarit mbeten fëmijët, ndaj, Najada Elmazi, tenton që të përçojë mesazhin e saj përmes teatrit…
“Duke qenë se prej një viti e gjysmë unë merrem me fëmijët, duke punuar me pjesën e aktrimit, kam vënë re se jo vetëm në aktrim, por edhe në fusha të tjera fëmijët e kanë shumë problem pjesën e socializimit me njëri-tjetrin dhe kjo ka qenë ideja e kësaj shfaqje që ata të afrohen”, shprehet Najada Elmazi, regjisore e shfaqjes.
Në shfaqjen “Të lundrojmë pa internet” të mbajtur në skenën e Teatrit Eksperimental për dy netë radhazi, disa prej fëmijëve, nga 4 deri në13 vjeç, interpretojnë për herë të parë në skenë. Por, për regjisoren është me rëndësi, përçimi i mesazheve nga fëmijët për fëmijët, përmes etydeve, dialogjeve e një larmishmëri performancash… që shpalosin talentin e tyre.
“Rolet sigurisht që kanë qenë të vështira, por ata bëjnë veten e vet në skenë dhe jemi munduar që të kapim pikat e tyre më të forta dhe siç e shikoni dikush ka plastikën, dikush karakterin. Dikush është natyrë dramatike, një tjetër komike, pra secili ka elementët e vet individual”, shprehet më tej Elmazi.
Nga shkolla në familje, skenat ndërrohen dhe fëmijët të vendosur përballë mungesës së internetit, përpiqen të evidentojnë kurthet e teknologjisë, të afrohen me njëri-tjetrin, përmes lojërave, dialogjeve apo imitimit të të rriturve.