Me ndryshime nga mbrojtja në sulm, sonte Suedi-Shqipëri! Mbi 2 mijë tifozë kuqezi në Stokholm, pritet shpalosja e flamurit gjigand

25 Mars, 13:32| Përditesimi: 25 Mars, 18:47

  • Share

Kombëtarja shqiptare luan sonte në Stokholm, duke nisur nga ora 19:00 ndeshjen e dytë miqësore të marsit, teksa përballë do ketë Suedinë me qëllimin për të lënë sa më shpejt pas krahëve humbjen 3-0 kundër Kilit. Para ndeshjes trajneri Sylvinho paralajmëroi ndryshime në formacionin e sotëm. Emrat e rinj në 11-tëshen e parë nisin që nga mbrojtja, teksa pritet që Balliu të marrë vendin e Hysajt, ndërsa Gjimshiti, Mihaj dhe Mitaj të vijojnë titullarë. Në mesfushë Ramadani dhe Asllani besohet se e kanë vendin e sigurt, ndërsa Bajrami është në balotazh me Ernest Muçin.

Në sulm duket se Arbër Hoxha ka fituar një vend titullari dhe do ulë në stol Seferin, ndërsa përveç Asanit i cili është kokë më kokë me Muçulloin edhe Broja është në balotazh me Manajn. Megjithatë sot sulmuesi në pronësi të Chelseas duket më i avantazhuar.

“Përballë kemi një kundërshtar të vështirë siç ishte Kili. E kishim kërkuar vetë. Lojtarët janë të karikuar, kemi bërë një fushatë kualifikuese shumë të mirë. Të përgatitemi sa më mirë për Evropianin. Sigurisht ka rëndësi edhe rezultati, por ne na intereson të përdorim sa më shumë lojtarë. Lojtarët janë pak në ankth për listë, është normale,”-u shpreh Sylvinho, trajner i kombëtares.

Edhe Suedia, ashtu si Shqipëria, vjen pas një humbje të thellë 5-2 në miqësoren kundër Portugalisë dhe sot pritet reagimi. Kundër Shqipërisë luhet në një stadium 50 mijë vendesh, ndërsa deri pak orë para ndeshjes nuk janë shitur më shumë se 20 mijë. Rreth 2 mijë prej tyre janë tifozë shqiptarë, të cilët sonte nëpërmjet grupimit “Tifozët Kuqezi” pritet të shpalosin një Flamur gjigand shqiptar.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?