Partia Mundësia përmes një reagimi zyrtar ka hedhur poshtë deklaratat e bëra nga ish-ministrit socialist Arben Malaj, ku tha se kryetari i kësaj force politike, Agron Shehaj, i ka ofruar që të bëhet pjesë e partisë së tij.
Partia e Shehajt sqaron se ata kanë nisur një fushatë të hapur publike, duke ftuar përmes rrjeteve sociale, telefonave dhe SMS-ve, miliona shqiptarë.
Kjo fushatë, sipas Partisë Mundësia është keqinterpretuar nga ish-ministri Malaj, i cili e ka cilësuar ftesën publike si një “ofiq partiak”.
“Partia Mundësia përgënjeshtron shkrimin e ish ministrit socialist Arben Malaj pasi në asnjë rast nuk i është ofruar post në radhët tona. Partia Mundësia ka nisur një fushatë të hapur publike duke kontaktuar miliona shqiptarë përmes rrjeteve sociale, telefonatave, SMS-ve duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit politik.
Fushatat e hapura dhe ftesat publike për të dhënë kontribut janë një model i hapur e perëndimor por që mesa duket Malaj nxitoi duke e cilësuar ftesën publike si ofiq partiak”, thuhet në reagimin e Partisë së Mundësisë.
Ish-ministri Arben Malaj deklaroi se kreu i Partisë së Mundësisë, Agron Shehaj, i propozoi që t’i bashkohet në parti për zgjedhjet e ardhshme të 11 majit, në postin e nënkryetarit.
Por, sipas asaj që ish-ministri tha kjo ftesë u refuzua nga ana e tij me argumentin se ai prej vitesh i ka shërbyer Partisë Socialiste.
“Ndoshta disa prej tyre shpresojnë që unë të jem i pakënaqur me PS-në dhe të hidhem nga njëra parti në tjetrën për ndonjë post deputeti apo ministror. E kanë shumë gabim, sepse për socialistët e thjeshtë dhe të pakorruptuar, që nuk kanë përfituar asgjë personalisht gjatë mandateve të qeverisë së PS-së kam një mirënjohje të pakushtëzuar dhe të përhershme,” tha Malaj ndër të tjera më herët.