TIRANË- Prej 5 muajsh spitali Infektiv pret pacientë të prekur nga COVID-19, pacientë që kanë nevojë për trajtim mjekësor dhe të jenë në kujdesin e bluzëve të bardha që janë cilësuar si heronj të kësaj lufte.
Ambulancat vijojnë të vijnë në dyert e këtij spitali për të sjellë pacientë të tjerë e fatkeqësisht edhe për të nxjerrë trupat e pajetë të atyre që nuk arrijnë ta fitojnë betejën me koronavirusin. Ndonëse muajt kanë kaluar, e njëjtë mbetet situata për të afërmit e pacientëve që janë të shtruar në spitalin infektiv. Ata duhet të presin jashtë rrethimit të spitalit, për të marrë informacione për pacientët dhe për të sjellë sende personale për ta. Gjatë një ditë duhet të presin me orë të tëra, e duke qenë edhe në muajin gusht, temperaturat e nxehta të verës nuk ndihmojnë aspak.
Në të njëjtën situatë ndodhen dhe familjarët e pacientëve të shtruar tek spitali “Shefqet Ndroqi” apo COVID 2. Prej pak kohësh edhe ky spital është kthyer në dispozicion të pacientëve që rezultojnë të prekur nga ky virus apo janë të dyshuar nga ana imazherike si të prekur nga COVID -19. Cdo ditë familjarët e tyre vijnë në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi”, presin të marrin informacion nga mjekët, presin të dëgjojnë një lajm të mirë për të afërmit e tyre që po përballen me këtë virus. Situata vijon e njëjtë ditë pas dite ku qytetarët mblidhen por shpeshherë duhet të qëndrojnë me orë të tëra në pritje pa marrë asnjë përgjigje.
Presin me orë të tëra, sjellin sende personale, ushqime madje edhe ujë për të afërmit e tyre të cilët për shkak të pamundësisë që i krijon virusi, duhet të qëndrojnë të shtruar në spital. Kanë ditë të tëra që qëndrojnë aty, por nuk dorëzohen, do të qëndrojnë me shpresën që familjarët që janë brenda të arrijnë ta fitojnë betejën me COVID-19.