Tri aktorë dhe një stand up komedi franceze që i flet publikut për raportet në çift, duke e argëtuar...
“Shtëpiakë të dëshpëruar” rikthehet për 6 shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar..., pasi ka shëtitur qytetet kryesorë të Shqipërisë dhe rrëmbyer duartrokitje edhe në Ulqin.
“Janë mbi 10 mijë spektatorë në 60 shfaqje dhe shfaqja do të vijojë”, thotë aktori Artan Imami, po ashtu regjisor e skenograf në shfaqje.
Tradhtia, ndarja, psikologjia e burrit dhe gruas, trio-ja Artan Imami, Indrit Çobani e Gentian Zenelaj, surprizojnë në çdo dalje, me një qasje të re ndaj historisë.
“Kjo sepse stand up-et rinovohen gjithmonë. Gjithsekush që vjen në shfaqje, përveç strukturës së saj historisë që është e thjeshtë, shikon tre personazhe të cilët bëjnë nga një monolog të ri gjithmonë e gjithmonë. Pra është një pjesë e cila rinovohet si sfinksi nga hiri i vet.”, shton aktori
Krahas kujdesit për regjinë, ku aktori është i lirë të improvizojë, Imami zgjedh një skenografi minimaliste, të përshtatshme për shfaqje lëvizëse.
“Qëllimi ka qenë shumë i thjeshtë. Sa më thjeshtë me sa më pak objekte, sepse transporti i skenografisë kushton shumë. Ideja është me duar në xhepa me zemër plot dhe me profesionalizëm!”, tregon aktori.
Batutat, loja e tri aktorëve në skenë i jep kësaj shfaqje nga shpirti shqiptar.
“Me siguri që vetëm në Shqipëri, mund të thuhej si dikur në komunizëm: A ka mundësi një minutë! Ajo shprehja e famshme e ndalimit të vajzës për herë të parë”, thotë ai.
Nuk ka mundur të vijë në shfaqje, për shkak të angazhimeve me vajzën, por aktori tregon se pjesën e ka konsultuar me bashkëshorten e tij, modele, aktore dhe njohëse e mirë e frëngjishtes edhe për shkak se pas edukimit në Itali ka ndjekur Institutin e Studimeve Politike në Paris.
“U nxeh me mua dhe tha: A ta dhashë unë idenë për këtë komedinë, që po vlen?! Pse nuk më zë në gojë asnjëherë mua... Dhe unë i them faleminderit shumë Floi, që ishe lakmuesi i një vepre të suksesshme, e falënderoj publikisht!”, thotë aktori.
Me Zheromin, personazhin që vuan ndarjen nga e dashura, me një shpirt të ndjeshëm e deri diku edhe naiv, aktori thotë se mund të ketë pika takimi...
“Më ka ndryshuar jeta jam bërë akoma më i mirë se sa kur isha i ri”, tregon ai.
Rrëfen se po e shijon kontaktin e drejtpërdrejte me publikun, por nuk e fsheh se i mungon filmi edhe për shkak të zbehjes së prodhimeve kinematografike.
“Unë jam penduar që nuk luaja atëherë kur prodhoheshin 12 filma në vit, por eksperienca ime e asaj kohe me kinemanë ishte jo e mirë pasi treçerek e skenarëve ishin skematikë, patetik. Por duhet të bëje dhe ato që mbase më vonë të bije edhe në sytë e regjisorëve të mëdhenj”, shprehet aktori.
E megjithatë pritet ta shohim në filmin “Gjirokastra” të regjisorit rus Yuri Arabov.
"Personazhi im është një partizan i çmendur, që ndodhet brenda një bunkeri dhe mendon se lufta nuk ka mbaruar akoma... Është një figurë që simbol. Di që filmi mbyllet me zërin tim dhe kjo më emocionon”, shprehet ai.
Aktor I deshtuar totalisht ky I mami...
Përgjigju