Për vetëm 1 orë, Dan Hutra, mesditën e 1 marsit 2023 mori jetën e 3 grave dhe plagosi edhe 3 të tjera, duke u regjistruar si një prej ngjarjeve më të rënda të vitit 2023, jo vetëm në numër viktimash, por edhe në sulmin e paprecedentë ndaj grave.
Si kjo ngjarje, në vitin që lamë pas u regjistruan edhe të tjera, të cilat tronditën opinionin publik, sidomos te krimi i organizuar. Megjithatë, shifrat e vrasjeve në tërësi ranë ndjeshëm gjatë 2023-shit, duke ndjekur një ritëm ulës, njëlloj siç ndodhi edhe në 2022-shin.
Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2023 regjistroi vepra penale më shumë se viti paraardhës dhe kanë 1.1% më shumë krime të regjistruara se në vitin 2022. Veprat penale që kanë lidhje direkt me krimet me dashje kundër shëndetit, në fushën e drogës, vjedhje dhe dhunë në familje kanë shënuar rritje, duke krijuar diferencën me 2022-shin, ndërsa pjesa tjetër e veprave panele pësuan rënie. Në ritëm rritës janë edhe autorët e veprave penale dhe më konkretisht niveli shkon deri në 3.4%.
Në fakt, numri i autorëve që bëjnë krime është më i lartë se i vetë krimeve, pasi një pjesë e tyre bëhen me më shumë se një person. Pjesën më të madhe të krimeve vijojnë të bëjnë burrat dhe niveli i krimit nga ata shkon deri në 93,2 % të totalit të autorëve. Referuar grup-moshave të krimit për vitin 2023, nga 30 deri në 44 vjeç zënë përqindjen më të madhe, e cila shkon deri në 35,8 %, ndjekur nga moshat e reja 18-29 vjeç me 26.5% dhe moshat më të mëdha, 45-59 vjeç, me 21.2%. Rritje të konsiderueshme përgjatë vitit që lamë pas shënuan edhe personat e dëmtuar në krime, gati në 25% më shumë se në vitin 2022 dhe 38,4 prej tyre janë gra, me nivelin më të lartë te krimet seksuale.
Nëpër prokuroritë e vendin, gjithsesi, u regjistruan 6,3% më pak procedime penale dhe nga totali prej 24.095, vetëm 42,5 % janë dërguar për gjykim në gjykatë, ndërsa pjesa tjetër u pushuan ose u pezulluan. Nga dosjet që mbërritën për gjykim ishin 14,1% më pak të pandehur se në vitin 2022 dhe ka një rritje te të pandehurit për vrasje të mbetura në tentativë dhe mashtrime, ndërsa pjesa tjetër ka pësuar rënie. Në vitin 2023, numri i të burgosurve në ishte 5.169, me një rritje prej 4,6 % krahasuar me vitin 2022, por tashmë me amnistinë penale burgjet e vendit janë më të lira.