Edon Zhegrova me fanellën e Juventusit dhe fëmijëria në 'Kampin e Milanit'

Sport

'Më pëlqen Milani' dhe ajo mbrëmje me Kakanë e Paton! Kur Edon Zhegrova mbërriti në 'San Siro' nga Prishtina

6 Tetor, 14:28| Përditesimi: 6 Tetor, 14:37

  • Share

Ishte viti 2012 kur një Edon Zhegrova ende fëmijë pozonte krenar me një fanellë të Milanit që e pëlqente, duke mbajtur në duar një trofe fëmijërie që nuk harrohet kurrë. “Në Prishtinë, gjatë një 'Milan Campi' që u zhvillua 13 vite më parë, nisi një lidhje e veçantë mes tij dhe futbollit italian, një lidhje që, me kalimin e viteve, do ta çonte drejt Serie A”, shkruan Gazzetta dello Sport.

Sot, nga ajo periudhë ku gjithçka kishte ngjyrat kuqezi, kanë mbetur vetëm kujtimet. E ardhmja është bardhezi, në shërbim të Juventusit dhe Zhegrova kërkon të lërë shenjë në Torino. Përballja e djeshme ndaj Milanit në “Allianz Stadium” mund të ketë sjellë në mendje ato ditë të para si tifoz i vogël kuqezi.

Kujtimet nga “San Siro” me Kaka dhe Pato

Edoni e di çfarë do të thotë të presësh momentin e duhur. Kështu ndodhi edhe me transferimin e tij nga Lille te Juventusi, që u mbyll në ditën e fundit të merkatos, një skenar që i kujton edhe pjesëmarrjen e tij të papritur në 'Milan Camp'.

“Kisha dëgjuar për kampin vetëm në momentet e fundit. U regjistrova i fundit në listë, por në fund përfundova i pari mes të gjithëve,” ka treguar ai në një intervistë të mëparshme.

“Më pas u ftuam të vizitonim 'San Siron'. Ishte një përvojë e pabesueshme, një ëndërr për një djalë 12-vjeçar nga Kosova. Pashë ndeshjen Milan - Chievo dhe takova yje si Kaka dhe Pato. Më kujtohet nëna ime me lot në sy nga gëzimi.”

Një rrugëtim që nisi me ëndrrën kuqezi, por që sot vazhdon me ambicien bardhezi dhe që ndoshta mund të marrë kuptim të ri për Edon Zhegrovën, djaloshin nga Prishtina që e ktheu një kujtim fëmijërie në realitetin e tij futbollistik.

Dje, Juventusi dhe Milani barazuan 0-0 për javën e gjashtë të Serie A, me Edonin që nuk mori minuta në fushë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?