Kronikë

Shëndetësia dha dritë jeshile, por shoqatat e transportit përçahen, rrethet rinisin nesër, Tirana kundër (VIDEO)

23 Qershor 2020, 10:36| Përditesimi: 23 Qershor 2020, 18:18

  • Share

TIRANE-Menjëherë sapo ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi rihapjen e transportit publik shoqatat janë përçarë. Shoqatat në disa qytete kanë reguar pozitivisht, duke shprehur menjëherë gatishmërinë për të rifilluar punën.

Në Shkodër, Shoqata e Transportit Interurban ka deklaruar se nesër në orën 06:00 do të nisë nga puna dhe do të vazhdojë deri në orën 17:00 të pasdites. Edhe në Korçë, punonjësit e transportit publik kanë deklaruar se do të zbatojnë protokollet e sigurisë.

Po ashtu edhe Fieri e Vlora, por Eneo Sulejmani, kryetar i shoqatës së transportit Rrethqytetas dhe Ndërqytetes në Tiranë ka dalë kundër. Sulejmani u shpreh për Report Tv se zbatimi i protokollit është i pamundur dhe krijon vështirësi financiare. 

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu lajmëroi  heqjen e kufizimit për transportin publik. Ajo nuk dha një datë, por u shpreh se do të zbatohen rregulla strikte, ku maska do të jetë e detyrueshme. Ndërsa paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë thyerje e rregullave. 

Ora 13:08
Me protokolle të reja sigurie Shkodra hap nesër transportin publik (VIDEO)

Në Shkodër, Shoqata e Transportit Interurban ka deklaruar se nesër në orën 06:00 do të nisë nga puna dhe do të vazhdojë deri në orën 17:00 të pasdites.

"Shoqëritë e transportit të qarkut të Shkodër do fillojnë daljen në punë. Jemi prej 4 muajsh pa punë dhe rrezikojnë problemet tona ekonomike të familjes. Nesër, ditë e mërkurë linjat tona ndërqytetase do të fillojmë punë në orën në 6 të mëngjesit deri në orën 5 pasdites".

 

Ora 12:56
Korça gati të hapë transportin ndërqytetas (VIDEO)

Punonjësit e Transportit Publik në Korçë kanë deklaruar se do të nisin punën dhe do të zbatojnë të gjitha protokollet e sigurisë.

"Kërkojmë me cdo kusht hapjen e transportit publik. Kemi arritur në atë gjendje që sot jemi në fund. Kemi rënë dakord me protokollin me 70%. Ne presim çeljen e transportit", tha përfaqësuesi i transportit.

Ora 12:36
Unioni i Operatoreve të Transportit Publik: Nuk mund të rifillojmë punën, s'përballojmë dot kostot

1592908707_transport.jpeg

Unioni i Operatoreve të Transportit Publik ka deklaruar se nuk mundet të rifilloi shërbimin për sa kohë nuk është plotësuar asnjë nga pikat e kërkuara.  Me anë të një  deklarate  ata përgënjeshtrojnë Ministren e Shëndetësisë, e cila tha: “Hiqen kufizimet për transportin publik”.

"Për sa kohë është në fuqi Urdhri i Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Nr.169 dt.5/6/2020, operatorët e transportit publik nuk e kanë të mundur të përballojnë kostot e respektimit të këtij protokolli, si finaciare ashtu edhe ligjore", shprehet Unioni i Operatorëve të Transportit.

Ora 11:15
Kreu i shoqatës së Transportit: Nuk nisim punën, ka kosto, i pamundur zbatimi i protokollit (VIDEO)

Shoqata e transportit publik në Tiranë refuzon të rinisë aktivitetin pa u ndryshuar protokolli dhe pa u plotësuar kërkesat që kanë. Eneo Sulejmani, kryetar i shoqatës së transportit Rrethqytetas dhe Ndërqytetes në Tiranë u shpreh për Report Tv se zbatimi i protokollit është i pamundur dhe se krijon vështirësi financiare. 

"Ministria e Shëndetësisë hoqi masat kufizuese por është në fuqi protokolli i sigurisë. Së dyti ne presim një vendim nga Ministria e Infrastrukturës. Është e pamundur që të fillojë transporti pasi nuk respektohet protokolli. Do konsultohemi me operatorët qytetas dhe ndërqytetas dhe 90% e tyre me këtë protokoll sigurie nuk dalin në punë e kanë të pamundur.

90% e operatorëve janë për mosrifillimin e punës me këtë protokoll. Ai krijon vështirësi financiare. Së pari në transportin qytetas ul me 75% numrin e udhëtarëve në automjet.  Dhe në transportin ndërqytetas e ul me 50%. Këto janë kosto financiare. Së dyti subjektet përgjegjëse detare dhe ajrore nuk janë përgjegjëse për distancën por për informimin e tyre pse ne duhet të ndëshkohemi" tha ai.

Por disa kompani do të rinisin nesër transportin, për këtë Sulejmani thotë se "ka disa përfaqësues që mendojnë të fillojnë por do të vijnë te mendimi ynë dhe do e shohin në terren që transporti nuk zbatohen dhe realisht krijon vështirësi financiare" tha ai për REPORT TV. 

Kujtim Mema, kryetar i një tjetër shoqate transporti të udhëtarëve, ndërqytetas shprehet për Report Tv se është pro rinisjes së aktivitetit, pasi mbyllja e gjatë i ka dëmtuar shumë ekonomikisht. "Shoqata e bashkuar e transportit ndërqytetas është pro daljes në punë. Jemi rrënuar ekonomikisht dhe transporti i paligjshëm po punon në vendin tonë me 4 fish të çmimit dhe qytetarët kërkojnë që të dalim ne në punë" tha ai për Report Tv.

Kërkesat e Shoqatës së Transportit
1-Të hiqet akciza për naftës dhe taksave për karburantin si sektori i peshkimit.
2-Të ulet TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6%.
3-Rimbursimin e kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese.
4-Rimbursimin në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport falas

Vendimet e qeverisë në mbështetje të shoqatës së Transportit
1-Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;
2-Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.

Ora 11:14
Hapet transporti ndërqytetës në Vlorë: Nuk heqim dorë nga kushtet, s'do rrisim çmimin (VIDEO)

Transporti ndërqytetës do të hapet edhe në qytetin e Vlorës, e megjithatë, edhe pse do të nis puna, përfaqësuesit nga Shoqata e Transportit nuk heqin dorë nga kushtet e tyre. Ato kërkojnë një pagë të dytë lufte, pasi janë dëmtuar shumë ekonomikisht, rimbursimin e naftës.

"Si të gjithë shoqatat  e tjera në rrethe kërkojmë subvencion të 30% se shteti thotë që ne duhet të punojmë me 70% të kapacitetit, nuk e di se sa do të realizohet, por që transporti është më i goditur sot për sot. Shteti na dha 400 mijë lekëshin, duhet të na jepte dhe një 400 tjetër se jemi familjarë", tha një prej përfaqësuesve të shoqatës.

Ora 10:53
Hapet transporti ndërqytetës dhe në Fier: Do zbatojmë protokollin, nuk rrisim çmimin (VIDEO)

Nga dita e nesërme, do të hapet transporti ndërqytetës edhe në Fier. Ilir Lule, Kryetar i Shoqatës së Transportit ka sqaruar se kompanitë kanë pësuar humbje, e megjithatë kjo nuk do të reflektohet në çmim.

"Ne jemi gati të zbatojmë protokollin. Nuk e dinim se do dilte ministrja, ne dolëm këtu në këtë protestë të organizuar më parë. Ne duam vetëm të dalim në punë. Do mbajmë të njëjtin çmim", u shpreh Ilir Lule, Kryetar i Shoqatës së Transportit.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?