Shaqir Gashit në New York

Me revolen 'Beretta' dhe me Kosovën në zemër drejt Amerikës

19 Shkurt 2021, 09:41| Përditesimi: 19 Shkurt 2021, 09:45

  • Share

Bëhet e ditur se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot ka vdekur Shaqir Gashi, njëri nga personalitetet e shquara të komunitetit shqiptar në Amerikë, i cili jetoi, punoi dhe shkriu shumë pasuri për lirinë e Kosovës. Shaqir Gashin e njoha rastësisht në New York në vitin 2005. Duke dalë nga hoteli më kishte dëgjuar duke folur shqip. “Ndalu, ndalu, o ti djalë”. Për një javë rresht shpesh pinim bashkë kafen e mëngjesit ose një çaj në mbrëmje dhe Shaqir Gashi tregonte historinë e tij. Me orë të tëra. I lindur në një fshat të Drenicës, ai duket se ishte kryengritës me profesion, i talentuar për humor, i shkathtë për biznes dhe i gjindshëm për çdo njeri që kishte nevojë, e sidomos për bashkëatdhetarët e tij shqiptarë.

Pasi kaloi një kohë në Mal të Zi duke punuar në ndërtimtari, ai nga fundi i viteve 60-të vendosi të mërgojë në Amerikë. “Dola së pari në Itali, na vendosën në një kamp afër Triestes. Atëherë secili mund të vendoste në cilin vend dëshiron të shkojë. Australi. Amerikë…”, tregonte Shaqir Gashi. Nuk mendoi gjatë. Vendosi të shkojë Amerikë, por kishte një hall. “Patëm dëgjuar që në Amerikë të vrasin zezakët. Në Milano bleva një allti, një ‘Beretta’ italiane. Dhe me allti shkova në New York. S’kontrollonte kush atëherë…”. Atëherë: nga fundi i viteve 60-të.

Në New York Shaqir Gashi shpejt hyri në botën e biznesit. I pari restorant që hapi në New York bartte emrin “Drenica”. Kështu nisi një histori impresive dhe në fund të karrierës së tij Shaqir Gashi mund të numëronte nja 20 restorante që i kishte pasur në pronësi apo drejtuar në Manhattan. Njohu gjatë kësaj kohe aktorë të famshëm dhe më pak të famshëm amerikanë, politikanë amerikanë, diplomatë, ambasadorë të Tiranës në OKB në New York, shqiptarë të zellshëm dhe ndonjë shqiptar sherrxhi. Gastronominë ai e kishte hobi, e profesion punën për lirinë e Kosovës. Shaqir Gashi nuk mungonte pothuaj askund, në asnjë aktivitet. Kuleta e tij ishte e hapur nganjëherë edhe përtej mundësive të tij financiare. Një mbrëmje pasi insistova disa herë, më tregoi se cila ka qenë darka më e shtrenjtë që ka paguar. “15 mijë dollarë. Ishte një darkë me senatorë amerikanë dhe një delegacion nga Kosova”.

Mijëra dollarë ai dhuroi për themelimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Ai ishte njëri nga themeluesit e saj, bashkë me Joseph DioGuardin. Ata politikanë amerikanë që u interesuan për Kosovën dhe më vonë u bënë mbështetës të mëdhenj të saj, siç ishte Tom Lantos, në New York dhe Washington takuan edhe Shaqir Gashin. “Kur erdhi Ibrahim Rugova për herë të parë në Amerikë për pak u rrahëm ne shqiptarët duke u shtyrë se kush do të dalë ta presë në aeroportin JFK në New York”. Në fund të vitit 2005 Ibrahim Rugova ishte diagnostifikuar tashmë me kancer në mushkëri dhe Shaqir Gashi kujtonte një skenë nga vizita e Rugovës në SHBA. “Kur shkova në dhomën e hotelit për ta marrë që të niseshim për në Washington, e gjeta të rrethuar nga shtëllungat e tymit të cigares”. Biletat për të udhëtuar delegacioni i Kosovës nga New Yorku në Washington i kishte blerë Shaqir Gashi. Rebel në shpirt dhe rebel në veprime, ai biletat i bleu me emra të ndryshëm. “Kisha frikë nga ndonjë atentat i regjimit serb”, arsyetohej Shaqir Gashi. Një pjesë të kujtimeve mbi jetën e tij të bujshme Shaqir Gashi i ka botuar në librin “Faleminderit Amerikë”.

Në vitet 90-të ai ishte një mikpritës zemërgjerë i Adem Demaçit në New York. Kur po përfundonte ajo dekadë e po mbyllej shekulli, në Kosovë, më saktë në Drenicë, nga ku ishte larguar Shaqir Gashi më 1969, shpërtheu rezistenca e armatosur kundër forcave serbe. Shaqir Gashi ishte solidar e përkrahës, fundja “po luftonin kushërinjtë e mi”, thoshte ai me humor. “Se vëllezër e motra jemi të gjithë”. Ai e pa Kosovën e çliruar, e përjetoi shpalljen e pavarësisë, jetoi me dëshirën që Kosova të bëhet shtet funksional dhe i zhvilluar – dhe vdiq më 18 shkurt, një ditë pas përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në themelet e Republikës së Kosovës Shaqir Gashi, nji zotni prej Drenice i ramë në New York, ka vendosur një gur të madh. Mijëra të tjerë kanë vendosur bashkëkombësit e tij të mërguar në Amerikë, pa të cilët Kosova vështirë do të ishte çliruar siç u çlirua më 1999.

Kur u lind më 1936 askush mbase s’ka mundur ta parashikojë një jetë kaq të bujshme si vetë shekulli i 20-të. “Duket se jam lindur nga fundi i shtatorit, sepse nëna më thoshte se jam lindur kur e kanë shkundur një arrë”. Shaqir Gashi u lind kur qenë pjekur arrat në Drenicë, e vdiq pas një jete që e jetoi me pjekuri e dashuri të madhe për vendin e vet dhe njerëzit e vet. Dhe jetoi me humor fantastik: “O, e kam pasë një axhë në Drenicë, po sherr i madh ka qenë, edhe kalin e mësonte me pi duhan”.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?